Frika e madhe për Alen Sherrin, Frosinone jep detaje mbi gjendjen e portierit shqiptar
Ndeshja e Kupës së Italisë mes Frosinones dhe Monzas u shndërrua në një moment ankthi të madh pas përplasjes së rëndë që pësoi Alen Sherri, gardiani i përfaqësueses shqiptare.
Portieri mbeti i shtrirë në fushë pas një kontakti të fortë dhe u transportua menjëherë drejt spitalit “San Gerardo” të Monzës.
Lajmet e para shkaktuan frikë te bashkëlojtarët dhe te tifozët, por fatmirësisht gjendja e tij është e stabilizuar, edhe pse bëhet fjalë për një dëmtim serioz në pjesën e fytyrës.
Frosinone publikoi një njoftim zyrtar mbi gjendjen e lojtarit, duke dhënë detaje mbi natyrën e dëmtimit:
Komunikata e klubit:
“Frosinone Calcio komunikon se futbollisti Alen Sherri, pas përplasjes së ndodhur gjatë ndeshjes së Kupës së Italisë, ka dalë këtë mëngjes nga Spitali ‘San Gerardo’ i Monzës në gjendje stabile. Lojtari ka pësuar fraktura të shumta në masivin e fytyrës, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve të mëtejshme.”
Ky zhvillim është një goditje e rëndë si për Frosinonen, që humbet përkohësisht portierin e saj titullar. Për momentin, prioriteti është rikuperimi i plotë shëndetësor i portierit, ndërsa koha e rikthimit të tij në fushë mbetet ende e pasigurt.
