Dëmtimi i rëndë i Lukakut, sulmuesi belg mund të ketë mbyllur vitin
Napoli ka marrë një goditje të fortë vetëm pak ditë para fillimit të sezonit të ri.
Romelu Lukaku, lideri i sulmit të kampionëve të Italisë, doli i dëmtuar nga miqësorja kundër Olympiacos në Castel di Sangro dhe analizat mjekësore kanë konfirmuar më të keqen: bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë të rectus femoris në kofshën e majtë, një dëmtim që praktikisht është i barabartë me një tërheqje muskulore të thellë.
Sipas raportit të spitalit “Pineta Grande”, Lukaku ka nisur tashmë terapinë rehabilituese, por gjithçka mbetet pezull për shkak të një vendimi delikat: terapi konservative ose ndërhyrje kirurgjikale.
Nëse sulmuesi zgjedh operacionin, ai do të mungojë rreth katër deri në pesë muaj, duke u kthyer jo përpara janarit 2026.
Por edhe terapia pa bisturi mbart rreziqe: shërimi i ngadaltë dhe mundësia që në fund sërish të nevojitet ndërhyrja kirurgjikale, çka do ta shtynte rikthimin në fushë deri në shkurt, me rrezikun e humbjes së Botërorit në SHBA.
Napoli dhe Lukaku do të vendosin në orët e ardhshme për rrugën më të mirë, por pasiguria është e madhe.
Antonio Conte, i cili e kishte menduar belgun si pikë referimi në sulm, duhet tani të bëjë llogaritë vetëm me Lorenzo Lucca-n, që pritet të debutojë si titullar në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Sassuolos më 23 gusht.
Presidenti De Laurentiis dhe drejtori Manna kanë nisur menjëherë sondazhet në merkato.
Me vetëm 13 ditë nga mbyllja e dritares së transferimeve, gjetja e një alternative cilësore nuk është aspak e thjeshtë.
Napoli rrezikon të nisë sezonin e Serie A dhe Champions League me një boshllëk të madh në qendër të sulmit, ndërkohë që fati i Lukakut dhe sezoni i tij mbeten pezull midis një vendimi mjekësor.
