Putini i tha fjalët e fundit në samitin e Alaskës në anglisht, një gjuhë që e flet më shumë nga ç'lë të kuptohet
Presidenti rus Vladimir Putin i tha fjalët e fundit në samitin e Alaskës me një buzëqeshje, të artikuluara në anglisht.
"Dhe herën tjetër në Moskë," tha Putini, pa pasur nevojë për përkthim, në përgjigje të presidentit amerikan Donald Trump, i cili sugjeroi se do të takoheshin shumë shpejt përsëri.
Putin njihet për komente të rastësishme dhe mirësjellje në gjuhë të huaja.
Ai tha gjithashtu "thank you so much" në anglisht në fund të samitit me Trump-in, i cili përfundoi pa një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Por zakonisht, udhëheqësi rus, një ish-oficer i shërbimit sekret të Bashkimit Sovjetik, KGB, përdor përkthyes për të shmangur të folurit në anglisht gjatë bisedimeve diplomatike.
Putini dihet se flet rrjedhshëm gjermanisht. Kur ishte oficer i KGB-së në Luftën e Ftohtë, Putini u caktua në Dresden, ish-Gjermania Lindore.
Putin dhe ish-kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel dihej se flisnin gjermanisht me njëri-tjetrin gjatë takimeve.
Ai flet mirë edhe anglisht, sipas vetë Kremlinit.
Në maj, kur dy udhëheqësit folën në telefon, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Putini mund të kuptonte përafërsisht çfarë po thoshte Trump-i para se përkthyesi i tij t'ia përcillte përkthimin, sipas agjencisë shtetërore ruse TASS.
Kjo sugjeron se ai ka gjasa të ketë mundur ta kuptonte homologun e tij amerikan kur të dy udhëtuan për pak kohë bashkë në limuzinën presidenciale të Trump-it pas mbërritjes në Alaska të premten.
Që në vitin 2017, Kremlini tha se Putini e kupton anglishten "thuajse plotësisht" dhe madje korrigjon përkthyesit e tij, sipas gazetës ruse Izvestia.
Kur është "në lëvizje," Putini "më së shpeshti flet anglisht, por kur zhvillohen negociata dhe kur mbahet një takim zyrtar, sigurisht, ai komunikon përmes përkthyesve," tha Peskov, sipas raportimit të gazetës asokohe.
"Unë kam përkthyer vetë në nivelin më të lartë për një kohë të gjatë, ndaj e di çfarë stresi është," tha Peskov, sipas Izvestias.
Përdorimi i përkthyesve në takime të nivelit të lartë gjithashtu u jep udhëheqësve hapësirë për manovrim.
Për shembull, përpara bisedimeve me Trump-in, Putini duket se nuk i kuptoi ose nuk i dëgjoi pyetjet e pakëndshme që i bërtitën gazetarët në anglisht për luftën, asnjë prej të cilave nuk u dha përgjigje, duke bërë si i hutuar.
I pyetur nëse do të "ndalonte vrasjen e civilëve", Putin bëri gjeste sikur nuk e dëgjoi pyetjen.
Ka mjaft shembuj të udhëheqësit rus duke treguar aftësitë e tij gjuhësore jashtë dhomave të negociatave.
Ai dha një intervistë ekskluzive për CNN-in në vitin 2008 për konfliktin në Gjeorgji, në të cilën foli pjesërisht në anglisht.
Në vitin 2013, ai dha një deklaratë mjaft të gjatë në kamera në anglisht për të shpallur kandidaturën e Rusisë për të pritur World Expo 2020 në qytetin qendror të Jekaterinburgut.
"Do të jetë një projekt kombëtar prioritar," tha ai në anglisht me theks rus në klipin dy minuta e gjysmë.
Në ndoshta shfaqjen më të famshme të zotësisë së tij në anglisht, ai një herë këndoi "Blueberry Hill" në një gala bamirësie në Shën Petërsburg në vitin 2010, megjithëse u ngatërrua me disa nga fjalët.
Disa yje të Hollivudit, përfshirë Kevin Costner, Goldie Hawn dhe Kurt Russell, ishin në sallë për të parë performancën e rrallë.
Gjatë një video-konference më herët këtë vit, ai iu përgjigj në gjermanishte të rrjedhshme një burri gjerman që kërkonte shtetësi në Rusi.
Pasi kaloi në gjermanisht, Putini bëri bisedë të lirë për kohën e tij që kishte kaluar në Gjermaninë Lindore, duke sjellë të qeshura tek zyrtarët e tjerë në takim.
Të premten, Trump iu përgjigj menjëherë ftesës së Putinit në anglisht për një raund tjetër takimesh në Moskë, duke thënë: "Kjo është interesante. Nuk e di, do të marr pak kritika për këtë, por e shoh të mundshme. Faleminderit shumë, Vladimir."
