Berisha nderon të rënët e Istogut: Lufta e UÇK-së i dha fund një kolonie në zemër të kontinentit europian

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një vizite në Kosovë, ka vendosur tufa me lule në memorialin e të rënëve të Istogut dhe pranë shtatores së presidentit historik Ibrahim Rugova.

Gjatë kthimit në Tiranë, i shoqëruar nga miq gjermanë, Berisha ndau një mesazh përkujtimor për luftën çlirimtare të UÇK-së dhe sakrificën e luftëtarëve të Istogut.

Në prononcimin e tij, Berisha tha se nuk mund të largohej nga Istogu pa shprehur nderimin më të thellë dhe mirënjohjen më të pakufishme ndaj djemve dhe vajzave të kësaj zone që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.

“Betejat e luftëtarëve të Istogut dhe në tërësi të kësaj zone kanë qenë nga më të përgjakshmet, por edhe me një rol shumë të veçantë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Lufta e UÇK-së ishte lufta e fundit çlirimtare në Europë, që i dha fund një kolonie në zemër të Europës, një turp i madh dhe i patolerueshëm”, u shpreh Berisha.

Duke kujtuar masakrat e kryera ndaj civilëve, ai tha se edhe në bjeshkët e vizituara kishte gjurmë të barbarive serbe.

“Nga Sanxhaku kishin vërshuar forcat serbe dhe kishin mbledhur çfarë kishin gjetur, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara, të cilët i kishin vënë përballë breshërive të armëve.

Pesëdhjetë e tre qytetarë të Istogut u ekzekutuan”, deklaroi Berisha, duke shprehur nderimin më të madh edhe për ta.

Kreu i Partisë Demokratike theksoi se do të mbetet gjithmonë mirënjohës ndaj atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës dhe dinjitetin e shqiptarëve.