U gjet në një zonë pyjore të Drosias/ Autoritetet greke gjejnë gjurmë gishtërinjsh në mjetin e improvizuar shp*rthyes, i përkasin një shqiptari me të shkuar kr*minale

Autoritetet greke kanë nisur hetimet në lidhje me një mjet shpërthyes të improvizuar i cili dyshohet se do të përdorejt për të vënë flakën një zone të pyllëzuar në Drosia.

Mediat greke raportojne se autoritetet janë shumë afër identifikimit të personit që e vendosi pajisjen ndezëse.

Raportohet se pas analizave në laboratorët mjeko-ligjorë, u gjet një gjurmë gishtash që i përkiste një burri me origjinë shqiptare me të kaluar kriminale. Pajisja ndezëse e improvizuar u vu re nga një qytetar të martën ndërsa ecte në një zonë të Drosias dhe menjëherë njoftoi autoritetet. Mekanizmi përbëhej nga dy cilindra gazi, të vendosur pranë njëri-tjetrit, me nga një shishe benzine midis tyre. 

Greqia ashtu si vendi ynë po lufton me flakët të cilat janë favorizuar nga temperaturat e larta. Shumë prej këtyre zjarreve janë të vëna qëllimisht dhe autoritetet po punojnë për kapjen e autorëve ndërsa pasojat po i vuajnë natyra dhe banorët e zonave ku ka rënë zjarri.