Ndodh në veri të Romës/ I riu përdh*non e më pas grabit 80-vjeçaren, zbulohet rrjedha e ngjarjes

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në një komunë në veri të Romës, ku një 26-vjeçar, i cili ndodhej nën masën e arrestit shtëpiak, u arratis dhe kreu një sulm të dhunshëm ndaj një gruaje të moshuar 80-vjeçare.

Ngjarja makabër ndodhi gjatë natës mes 2 dhe 3 gushtit. I riu dyshohet se hyri në banesën e viktimës, e cila jetonte e vetme, duke e kërcënuar me një thikë dhe duke i kërkuar të dorëzonte para, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Sipas hetimeve, gruaja e moshuar i është përgjigjur se nuk kishte para të gatshme apo ar në banesë, gjë që ka bërë që agresori të reagojë me dhunë. Ai e ka rrëzuar viktimën në dysheme dhe e ka sulmuar seksualisht.

Pas përdhunimit, sulmuesi nuk është ndalur. Ai e ka detyruar të moshuarën ta shoqëronte deri te një bankomat, ku ka kërkuar prej saj të tërhiqte shumën prej 500 eurosh. Pasi i ka marrë paratë, ai është larguar në këmbë, duke e kërcënuar se do ta vriste nëse tregonte për atë që kishte ndodhur.

Policia nisi menjëherë hetimet, të cilat u mbështetën në analizën e pamjeve të kamerave të sigurisë së zonës dhe në zbulimin e sendeve të rëndësishme brenda apartamentit të viktimës. Këto prova çuan shpejt në identifikimin e autorit të dyshuar, i cili u arrestua dhe u dërgua me burg.

26-vjeçari tashmë përballet me akuza të rënda për përdhunim të rëndë dhe grabitje me dhunë, ndërsa rasti ka shkaktuar tronditje dhe indinjatë të madhe në komunitetin lokal.