Washington Post: Trump planifikon një task forcë speciale për t’iu përgjigjur menjëherë 'trazirave të brendshme'

Sipas një raporti të sotëm të Washington Post, administrata e presidentit Donald Trump po shqyrton planet për krijimin e një “Force të Reagimit të Shpejtë për Përplasje të Brendshme”. 

E përbërë nga qindra ushtarë të Gardës Kombëtare ajo do të dërgohet shpejt në qytetet amerikane ku shpërthejnë protesta ose trazira. Lajmi i publikuar nga Washington Post bazohet në dokumente të brendshme të Pentagonit.

Më herët, Trump njoftoi se ka urdhëruar marrjen nën kontroll federal të policisë së Uashingtonit dhe vendosjen në terren të 800 anëtarëve të armatosur të Gardës Kombëtare me fuqi arrestimi, nëse është e nevojshme, për të adresuar rritjen e kriminalitetit në kryeqytetin amerikan.

Gjatë fundjavës, ai kishte dërguar tashmë forca federale në rrugët e qytetit dhe kishte kërkuar që adoleshentët nga mosha 14-vjeçare të gjykoheshin si të rritur, duke përshkruar Uashingtonin si një qytet i prekur rëndë nga bandat e dhunshme rinore.