Fshehu provat e dosjes së trafikut të pistoletave 'Glock', nis hetimi për OPGJ-në e Sarandës
Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë është pezulluar pasi dyshohet se fshehu prova për dosjen e trafikitmit të armëve tip “Glock”, me qëllim shitjen në Sarandë.
Prokuroria e Sarandës ka proceduar penalisht një oficer të policisë gjyqësore, i cili dyshohet se ka fshehur të dhëna hetimore kyçe nga një çështje që lidhet me trafikimin e armëve në qytetin bregdetar.
Burime zyrtare bëjnë me dije se procedimi penal nr. 696/2025 është regjistruar ndaj oficerit J.P., nën akuzën për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, vepër e parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Hetimet kanë zbuluar se J.P. dyshohet se ka mbajtur të fshehura të dhëna të përftuara nga këqyrja e një telefoni celular të sekuestruar, që ishte provë në një tjetër procedim penal nr. 592/2024.
Ky i fundit kishte të bënte me transportimin e 10 armëve tip “Glock” dhe 150 fishekëve në drejtim të Sarandës, ngjarje e ndodhur më 13 shtator 2024.
"Nga hetimet e kryera rezulton se oficeri i policisë gjyqësore dyshohet se ka fshehur të dhëna hetimore me rëndësi për hetimin, të përftuara nga kqyrja e aparatit celuar të sekuestruar në kuadër të një procedimi penal me nr.592/2024 të regjistruar për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/6 të Kodit Penal që lidhet me transportimin e dhjetë armëve “Glock” dhe njëqind e pesëdhjetë plumbave në drejtim të Sarandës në datë 13.09.2024" informoi sot policia e Sarandës.
Prokuroria kërkoi që ndaj oficerit të vendosej masa e sigurisë “arrest me burg”, por Gjykata e Sarandës caktoi masën “pezullim nga detyra”, duke i ndaluar ushtrimin e funksionit në Policinë e Shtetit deri në përfundim të hetimeve.
Trafiku i armëve 'Glock'
Më 13 shtator 2024 policia ndaloi dy të rinj pasi u kapën me 10 armë zjarri tip “Glock”, të cilat po i trafikonin me qëllim shitjen në Sarandë.
Bëhet fjalë për Mehmet Canaj dhe Klaudio Osmani, të cilët u vënë në pranga në kohën kur po i trafikonin këto armë, në aksin rrugor “Sarandë-Skërficë”. Osmani, i cili ndodhej pasagjer në automjet, ishte punonjës në stacionin zjarrfikës Këlcyrë. Të dy të arrestuarit ishin banorë të Këlcyrës.
Njoftimi:
Fshehu të dhëna me rëndësi për hetimet, Prokuroria Sarandë procedon penalisht oficerin e policisë gjyqësore
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka regjistruar procedimin penal nr. 696/2025 për veprën penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal në ngarkim të oficerit të policisë gjyqësore J.P.
Nga hetimet e kryera rezulton se oficeri i policisë gjyqësore dyshohet se ka fshehur të dhëna hetimore me rëndësi për hetimin, të përftuara nga kqyrja e aparatit celuar të sekuestruar në kuadër të një procedimi penal me nr.592/2024 të regjistruar për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/6 të Kodit Penal që lidhet me transportimin e dhjetë armëve “Glock” dhe njëqind e pesëdhjetë plumbave në drejtim të Sarandës në datë 13.09.2024.
Për sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” parashikuar nga neni 238 të Kodit Penal.
Gjykata vendosi të caktojë ndaj personit nën hetim masën e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 242 të K.Pr.Penale.
