"Po përgatisim një rregullore kombëtare", Rama: Rilindja Urbane 2.0 do të vazhdojë për 4 vjet
Kryeministri Edi Rama është shprehur sot se po përgatitet nje rregullore kombëtare që do të vendosë kufinjtë për hapësirat publike.
Ai u shpreh se për këtë fazë një ndihmë e madhe do të jetë edhe teknologjia. Ai theksoi se teknologjia do të çlirojë vendin nga ky fenomen duke e reduktuar në maksimum.
"Po përgatisim një rregullore kombëtare që do të vendosë qartë kufijtë dhe do të japë qartë hapësirat e lirisë. Do të ketë të gjithë hapësirën edhe për njësitë tregtare por pa kapërcyer kufirin që është i komunitetit.
Në fund kam edhe elementin e teknologjisë.
Shqipëria ka bërë progress të jashtëzakonshëm dhe para pak ditësh, një nga institutet më prestigjioze në botë të qeverisjes, të matjes së parametrave të qeverisjes, e përcaktoi Shqipërinë si një nga yjet në ngjitje të hapësirës evropiane së bashku me 4 vende të tjera për reformat dhe transformimin.
Shqipëria është diçka krejt tjetër, e tregojnë shumë gjëra. Teknologjia do të na ndihmojë në këtë fazë, që sic kemi kaluar te faza ku të gjithë ngrini llaç e ngrinin mure, kalojmë te faza që s'do të ketë më.
Teknologjia do të na çlirojë nga ky fenomen duke e reduktuar në maksimum.", tha Rama.
Më tej Kreu i qeverisë, Edi Rama ka njoftuar ditën e sotme se "Rilindja Urbane 2.0" do të vazhdojë për 4 vjet dhe në mënyrë konstante.
Rama tha se prishja e ndërtimeve pa leje apo lirimi i hapësirave publike nuk është as aksion dhe as sulm veror.
Ndërkohë lidhur me ndikimet që kjo sjell te turizmi, ai tha se çështja e turistëve lidhet me dy- tre gjera të tjera për të cilat tha se do të flitet në shtator.
Kryeministri njoftoi se do të merren masa drastike për çështjen e plazheve, ndërsa shtoi se shkundja e bashkive ishte një domosdoshmëri për ngritjen e pushtetit vendor.
"Rilindja Urbane 2.0 është program që do të vazhdojë për 4 vjet dhe ky proces do të jetë konstant. Nuk është aksion apo sulm veror.
Dhe ata që thonë se pse nuk e lije dot për në dimër, jo nuk e linim dot në dimër.
Jo se kishim turistë nëpër këmbë, çështja e turistëve lidhet me dy apo tre gjera të tjera për të cilat do të llafosemi në shtator, duke filluar nga një pjesë e industrisë që nuk po mendon fare strategjikisht, por vetëm ‘kap ca të kapësh sot', dhe po i bën gropën vetes nesër, pasi ato investime që po bën nuk do t’i shlyejë nëse sot vendos cmime të cilat do të hapin me shumë shpejtësi fjalën që është shumë shtrenjt në Shqipëri.
Do të flasim edhe për plazhet, kur kemi bërë hap këtë vit, por të pamjaftueshem.
Do të marrim masa radikale edhe për plazhet, por ama shkundja e bashkive sot është domosdoshmëri dhe që pushteti vendor të ngrihet në një moment tjetër.", tha Rama.

