Operacioni i SPAK ndaj grupit kriminal/ Ngarkesat e mëdha të kokainës siguroheshin nga prodhuesit dhe drejtuesi i organizatës
SPAK dha njoftim zyrtar në lidhje me goditjen e trafikut të drogës nga vendet e Amerikës Latinë, në Evropë. Bëhet me dije se ngarkesat e mëdha të kokainës siguroheshin direkt nga prodhuesit dhe nga drejtuesi i organizatës kriminale. Lënda narkotike fshihej në mënyrë të sofistikuar në ngarkesa, si kuti sapuni, bombola boje dhe kollose ndërtimi të maskuara me marka tregtare si “Fox” apo me shenja të veçanta dalluese si “Puma” ose “sy me rrufe”.
Tipologjia e organizatës kriminale
Hetimet e kryera në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese partnere dhe analiza e komunikimeve të përgjuara në aplikacionin SkyECC kanë zbuluar një strukturë kriminale të përmasave ndërkombëtare, e udhëhequr nga shtetasit E.Ç. dhe F.G., e cila kontrollonte në mënyrë të plotë zinxhirin e trafikut të kokainës – nga prodhimi, magazinimi dhe përpunimi në laboratorët e Paraguait, transporti ndërkombëtar dhe shpërndarja në tregjet europiane, deri te pastrimi dhe qarkullimi i të ardhurave të fituara.
Ngarkesat e mëdha të kokainës siguroheshin direkt nga prodhuesit nga drejtuesi i organizatës E. Ç. (i cili së bashku me vëllanë e tij A. Ç. ishin vendosur në Paraguai), magazinoheshin dhe bëheshin gati për transport në Paraguai. Lënda narkotike fshihej në mënyrë të sofistikuar në ngarkesa legale – kuti sapuni, bombola boje dhe kollose ndërtimi – të maskuara me marka tregtare si “Fox” apo me shenja të veçanta dalluese si “Puma” ose “sy me rrufe”. Këto ngarkesa transportoheshin me kontejnerë detarë nga portet e Amerikës së Jugut drejt porteve të mëdha evropiane, kryesisht Anvers (Belgjikë) dhe Hamburgu (Gjermani), ku më pas shpërndaheshin përmes rrjeteve të brendshme të tregut të drogës në BE.
