Shirat e rrëmbyeshëm godasin Kinën, të paktën 17 viktima dhe dhjetëra të zhdukur

Kina po përballet me përmbytje masive si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që kanë goditur disa rajone të vendit, duke shkaktuar viktima, zhdukje dhe shkatërrim të infrastrukturës.

Presidenti kinez Xi Jinping ka kërkuar përpjekje të gjithanshme për shpëtim dhe parandalim të mëtejshëm të përmbytjeve.

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 33 të tjerë raportohen të zhdukur në Qarkun Yuzhong të provincës Gansu në Kinën veriperëndimore, pas përmbytjeve të shkaktuara nga rreshjet e dendura që nisën të enjten.

Mediat shtetërore raportuan se shirat përfshinë zona malore pranë qytetit të Lanzhou, duke shkaktuar edhe rrëshqitje të dheut dhe dëme të konsiderueshme.

Në fshatin Maliantan, tre persona rezultojnë ende të zhdukur pas një rrëshqitjeje dheu që ndodhi vonë mbrëmjen e së enjtes.

Shërbimet e energjisë dhe të telekomunikacionit janë ndërprerë në zonën e malit Xinglong, duke izoluar mbi 4,000 banorë në katër fshatra.

Sipas autoriteteve lokale të Lanzhou-t, reshjet maksimale të shiut në zonë arritën deri në 195 milimetra deri në mëngjesin e së premtes.

Situata është e rënduar edhe në jug të vendit.

Në qytetin Guangzhou, një rrëshqitje dheu e shkaktuar nga përmbytjet varrosi disa shtëpi në lagjen Baiyun, duke lënë të vdekur shtatë persona dhe të plagosur shtatë të tjerë.

Në Zhengzhou, kryeqyteti i provincës Henan, autoritetet ndërmorën masa të rrepta duke mbyllur shkollat, zyrat dhe fabrikat, si dhe duke ndaluar qarkullimin në zona të tëra të qytetit për shkak të përmbytjeve të rënda.

Kujtojmë se Zhengzhou u godit rëndë nga përmbytjet në vitin 2021, ku humbën jetën të paktën 292 persona.

c ka pasur edhe në kryeqytetin Pekin. Në fund të korrikut, 31 të moshuar humbën jetën në një qendër kujdesi në distriktin Miyun, si pasojë e stuhive që sollën sasi shiu sa për një vit brenda pak ditësh.

Zyrtarët lokalë pranuan përgjegjësinë dhe ofruan një kërkim falje publike, duke e quajtur situatën një “mësim të hidhur”.

Ndërkohë, ekipet e emergjencës janë në terren dhe po punojnë për të shpëtuar banorët, restauruar infrastrukturën dhe për të shmangur rreziqe të mëtejshme nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet e ardhshme.

Presidenti Xi ka urdhëruar mobilizim të të gjitha burimeve për përballimin e krizës.