Pekini: Izraeli të ndalojë luftën në Gaza, një rrezik të madh për stabilitetin rajonal dhe për jetën e civilëve

Kina i është bashkuar zërave ndërkombëtarë që shprehin shqetësim për zgjerimin e operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës. Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme kineze ka kritikuar vendimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për pushtimin e plotë të Gazës.

Autoritetet kineze bëjnë thirrje që Izraeli të ndalojë menjëherë veprimet ushtarake, të cilat i konsiderojnë si një rrezik të madh për stabilitetin rajonal dhe për jetën e civilëve.

“Gaza i përket popullit palestinez dhe është pjesë integrale e territorit të tyre,” thekson Ministria e Jashtme e Kinës në komunikatën zyrtare.

Në të njëjtën linjë janë shprehur edhe vende të tjera, si Britania e Madhe që ka dalë kundër vendimit të Netanyahut, ndërsa Gjermania ka vendosur ndalimin e eksportit të armëve drejt Izraelit.