Bozdo: Drafti i ri i Kodit Penal, godet lirinë e medias duke vënë në rrezik principet themelore të demokracisë

Drejtuesi politik i PD në qarkun e Beratit, Eno Bozdo përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se Drafti i ri i Kodit Penal-godet lirinë e medias duke vënë në rrezik principet themelore të demokracisë.

Postimi:

Drafti i ri i Kodit Penal-godet lirinë e medias duke vënë në rrezik principet themelore të demokracisë!

Drafti i ri i Kodit Penal, në veçanti neni 865 për shpifjen, përfaqëson një kthim mbrapa për të drejtat themelore dhe lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Ky nen, i cili parashikon dënime të rënda financiare për deklarata publike që pretendohet se përmbajnë informacione të rreme, vendos një presion të rrezikshëm mbi gazetarët, mediat dhe çdo zë kritik ndaj pushtetit.

Sipas nenit 865, çdo kritikë që qeveria e konsideron “ofenduese” apo “shpifje” mund të ndëshkohet me gjoba deri në 1 milion lekë.

Kjo krijon një atmosferë diktature dhe vetëcensure për gazetarët dhe opinionbërësit, të cilët do ta kenë të vështirë të bëjnë punën e tyre pa pasur frikë nga ndëshkimi penal.Godet kritikën publike dhe llogaridhënien.

Ky nen nuk bën dallim të qartë midis shpifjes së vërtetë dhe kritikës legjitime ndaj pushtetit.

Kjo u jep qeverisë një mjet për të heshtur zërat kundërshtues, duke e kthyer legjislacionin penal në një armë kundër transparencës.

Gjoba që shkojnë deri në 1 milion lekë janë të tepërta për individë, sidomos për gazetarë të pavarur ose qytetarë që shprehin mendimin e tyre në rrjete sociale.

Zbatimi i ligjit përmes mjeteve penale është disproporcional.

Në një shtet demokratik, çështjet e shpifjes trajtohen zakonisht në gjykatë civile, jo penale. Futja e kësaj vepre në Kodin Penal është një hap i rrezikshëm drejt kriminalizimit të fjalës së lirë.

Neni 865 është një mjet në duart e qeverisë për të kontrolluar narrativën dhe për të ndëshkuar kritikët. Ai nuk mbron qytetarët, por qeverinë.

Shqipëria ka nevojë për më shumë liri, jo për diktaturë!