USHTRIA NËN DISIPLINË/ Projektligji: Shkeljet disiplinore në rast misionesh do konsiderohen ...

Ministria e Mbrojtjes ka propozuar ndryshimet mbi ligjin për disiplinën në ushtri. Në dokument shtohet dhe një pikë, ku shkeljet disiplinore, qoftë edhe të lehta, kur kryhen në misione jashtë vendit apo në angazhimet e bashkëpunimit ndërkombëtar do të konsiderohet shkelje e rëndë.

Në këtë rast masa shkojnë deri në vërejtje me shkrim, kufizim i lëvizjes brenda repartit, ndalim disiplinor deri ën 72 orë dhe gjobë deri në një të katërtën e pagës.

Por në rast të një shkelje të rëndë e kryer gjatë arsimimit, në mision, shërbim, stërvitje të përbashkët, mision diplomatik ose në aktivitete që zhvillohen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dy ose shumëpalëshe masa parashikohet nga vërejtja, ulje në gradë dhe deri në shkarkim.

Gjithashtu në ndryshime kërkohet që të konsiderohet vepër e rëndë përdorimi i lëndëve narkotike, madje edhe në rastet kur gjetja nuk përbën vepër penale.

Një tjetër shtesë është dhe në rastet e dhënies së intervistave të paautorizuara në mediet e shkruara dhe audio-vizive që po ashtu vendoset në shkeljet e rënda.

Megjithatë në rast se masa disiplinore nuk ka përfshirë shkarkimin, ushtaraku do të konsiderohet i rehabilituar nëse në dy vite nuk kryen shkelje të tjera, kjo edhe në rast se është ndëshkuar për vepra të rënda.