Përlau 22 milionë euro me një dorë nga Bankers, Idajet Ismailaj 2 milionë euro rrogë vetes dhe babës. Pse SPAK nuk heton organizatën kriminale?
Kompania Albstar e oligarkut Idajet Ismailaj rezulton firma kryesore kontrakuese e Bankers në gropën 5.5 miliardë euro, me faturime fiktive, devijim të fitimeve, mashtrim të shtetit, përfitim me skemën e TVSH-së, fryrje artificiale të shpenzimeve dhe pastrimin e parave. Aktiviteti kriminal mes Idajet Ismailajt dhe kupolës së Bankers reflektohet edhe në dosjen e brishtë të Prokurorisë së Fierit.

Dokumentet tregojnë se vetëm gjatë vitit 2011, kompania Albstar e Idajet Ismailajt ka përfituar 22 milionë euro nga Bankers në funksion të skemës së fryrjes së shpenzimeve dhe zhvatjes së pasurisë nëntokësore të Shqipërisë. Kompania dyshohet se ka përfituar dhjetëra milionë euro të tjera në vitet në vijim.

Në shtator të vitit 2016, Idajet Ismailaj me familjarët e tij themelon kompaninë e ndërtimit Reas 16, me emër të ndryshuar në IR shpk, të cilën e kontrollote fillimisht përmes kompanisë Finman dhe më pas me anë të Albstar, përfituese e 100 milionë eurove fonde publike. Përmes kësaj kompanie, Idajet Ismailaj ka nisur të qarkullojë qindra mijëra euro të Bankers, sipas Prokurorisë së Fierit, me fatura fiktive.
Shumë shpejt xhiroja vjetore e kompanisë IR shpk arriti 6 milionë euro, ndërsa fitimet rreth 2 milionë euro. Institucionet shtetërore si AKBN dhe organi i akuzës kanë faktuar se në të dy linjat faturimet kanë qenë fiktive, pra nuk është bërë ndonjë punë, thjeshtë janë vjedhur paratë që duhet të derdheshin në arkën e shtetit.
Ku kanë përfunduar paratë?
Është një pyetje që i takon SPAK-ut t’i përgjigjet, pasi të gjitha faktet dhe provat tregojnë se kemi të bëjmë me një organizatë të mirëfillt kriminale. Megjithatë, në vëmendje të SPAK dhe të opinionit publik, po sjellim një tjetër fakt.
Nga verifikimi i listës së pagave të kompanisë Albstar, rezulton se Sadik Ismailaj dhe Idajet Ismailaj, babë e birë, pronarë të kompanisë, i kanë caktuar vetës një pagë 85 mijë euro në muaj (170 mijë euro në muaj të dy), rreth 2 milionë euro në vit.

Teksa paga mujore e pronarëve të komapanive me xhiro vjetore qindra milionë euro është sa paga e një drejtori në administratën publike, Idajet Ismailaj ka marrë 1 milionë euro pagë në vit, produkt i parave të vjedhura me Bankers, e cila nga ana e saj ka zhvatur pasurinë nëntokësore të shqiptarëve.
Një pjesë tjetër e parave dyshohet se kanë shkuar për të ngritur kullën e stadiumit dhe për vilat tek ‘pika e vockël’ e Mirela Kumbaros, brenda zonës së Mbrojtur të Parkut të Butrintit. Krimi mjedisor nisi si një ‘pikë e vockël’ dhe sot ka përfunduar në një katastrofë mjedisore.
Kompania Albstar e Idajet Ismailajt është një shembull se si vidhet pasuria e përbashkët e shqiptarëve, si pastrohen paratë e vjedhura në kulla dhe resorte, është një shembull pandëshkueshmërie, një sfidë ndaj SPAK dhe kthimi të hajnisë në normalitet./ Prapaskena
