“HAGA, PO ZVARRIT GJYQET”/ Hysni Gucati: Gjithçka e qëllimshme për të dëmtuar UÇK-në

Kryetari i Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, akuzon Gjykatën Speciale për zvarritje të qëllimshme dhe bashkëpunim me gjykatat serbe. Ai thotë se drejtësia po zbatohet vetëm ndaj shqiptarëve dhe UÇK-së

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, kritikoi ashpër punën e Gjykatës Speciale në Hagë, siç vlerësoi, për zvarritje të qëllimshme të proceseve dhe për bashkëpunim me gjykatat serbe.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Gucati, u shpreh se proceset po zhvillohen në mënyrë të njëanshme vetëm ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa drejtësia nuk po zbatohet për të gjithë.

“Me të gjithë falsifikimin që është duke u bërë me gjykatë, është duke punuar dhe bashkëpunuar me gjykatat serbe. E dimë se çka mendojnë gjykatat serbe për neve. Ata mendojnë të keqen gjithmonë.

Ne kemi protestuar se pse kjo gjykatë është e një etnie, vetëm për shqiptarët dhe për pjesëtarët e UÇK-së dhe nuk është bërë Gjykatë Speciale për të gjithë ata që kanë luftuar në Kosovë: shqiptarë, serbë, romë, turq apo kushdo që kanë qenë të involvuar në Kosovë. Drejtësia nuk njeh etni, por gjykata bëhet për të gjithë qytetarët e vendit nëse kanë bërë gabime apo shkelje”, tha ai.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës tha se Gjykata Speciale me qëllime të caktuara po e zvarrit çdo proces.

“Jemi dëshmitarë duke parë këtë Gjykatë se çka është duke bërë dhe duke vepruar. Besoj që dëshmitarët e mbrojtjes do të jenë 12 në rastin e presidentit dhe shtatë dëshmitarë te Jakup Krasniqi. Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi nuk kanë marrë dëshmitarë”.

Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar procesi i diskutueshëm për ish-krerët e UÇK-së, ndërsa me 7 gusht në Prishtinë është lajmëruar një protestë kundër kësaj gjykate!