Gjendet një fole grerëzash radioaktive në një vend të vjetër armësh bërthamore në SHBA, rrezatimi ishte dhjetëfish mbi kufirin e lejuar

Një fole grerëzash me nivele rrezatimi dhjetë herë më të larta se sa lejohet sipas rregulloreve, u zbulua në një objekt që dikur prodhonte pjesë për armë bërthamore amerikane, njoftuan zyrtarët federalë.

Sipas një raporti të publikuar javën e kaluar nga Departamenti Amerikan i Energjisë, “foleja u spërkat për të vrarë grerëzat, pastaj u paketua si mbetje radioaktive”. Asnjë grerëz nuk u gjet më pas në vendngjarje, që ndodhet pranë qytetit Aiken në Karolinën e Jugut.

Hetuesit konfirmojnë se ndotja nuk lidhet me ndonjë rrjedhje të mbetjeve bërthamore dhe se nuk ka pasur ndikim “në mjedis apo në publik”.

Megjithatë, grupet ambientaliste kanë kritikuar ashpër mënyrën se si qeveria e trajtoi situatën.

Foleja u zbulua më 3 korrik nga punëtorët që kontrollojnë rregullisht për rrezatim bërthamor në kompleksin Savannah River Site (SRS), një objekt i madh i hapur që nga vitet ’50, që dikur prodhonte plutonium për armët bërthamore të SHBA gjatë Luftës së Ftohtë.

Ajo u gjet në një shtyllë pranë një zone ku ruhen miliona galonë me mbetje të lëngshme bërthamore. Sipas raportit, nuk ka pasur rrjedhje nga tanket e mbetjeve.

Nivelet e larta të rrezatimit në foletë i atribuohen “ndotjes radioaktive të trashëguar” në vendin e ngjarjes, mbetje radioaktive që kanë mbetur në mjedis që nga koha kur impianti prodhonte pjesë për armë bërthamore.

Objekti vazhdon të jetë aktiv edhe sot, por tashmë fokusohet në përpunimin e materialeve për qëllime energjetike, jo ushtarake.

Raporti i Departamentit të Energjisë thekson se grerëzat që jetonin brenda foleve do të kishin nivele ndjeshëm më të ulëta rrezatimi sesa vetë foleja.

Gjithashtu, përmendet se grerëzat zakonisht nuk fluturojnë më shumë se disa qindra metra nga foleja, dhe duke qenë se foleja u gjet në zemër të kompleksit prej 310 miljesh katrorë të SRS, ka shumë pak gjasa që ato të kenë dalë jashtë zonës së objektit.

“Nuk u gjet ndotje në zonën përreth,” thuhet në raport. “Nuk pati ndikime te punonjësit, mjedisi apo publiku.” Megjithatë, grupi mbikëqyrës Savannah River Site Watch ngre pikëpyetje të shumta mbi origjinën e ndotjes.

“Jam po aq i zemëruar sa një grerëz,” tha për agjencinë Associated Press zëdhënësi i grupit, Tom Clements. “SRS nuk e shpjegoi asnjëherë nga erdhi kjo ndotje ose nëse ka ndonjë rrjedhje nga depot që publiku duhet ta dijë.”

Sipas organizatës Savannah River Mission Completion, objekti ka prodhuar më shumë se 165 milionë galonë (625 milionë litra) mbetje bërthamore të lëngshme në të kaluarën. Aktualisht, 43 tanke nëntokësore janë ende në përdorim, ndërsa tetë janë mbyllur.