Goditet rëndë opozita në Pakistan/ 108 Anëtarë të Partisë së Imran Khan dënohen me burg

108 anëtarë të partisë Pakistan Tehreek-e-Insaf të udhëhequr nga ish-kryeministri i burgosur Imran Khan janë dënuar nga një gjykatë e vendit. Akuzat ndaj tyre ishin për përfshirje në protestat e dhunshme kundër ushtrisë që shpërthyen në maj të vitit 2023.

Vendimet e fundit përfshijnë edhe një dënim me 10 vjet burg për liderin opozitar Omar Ayub Khan, duke përbërë një tjetër goditje të rëndë për lëvizjen politike të Khan.

Protestat nisën pasi Imran Khan u arrestua gjatë një seance gjyqësore për akuza korrupsioni, çka shkaktoi zemërim masiv dhe trazira në mbarë vendin.

Mbështetësit e tij sulmuan ndërtesa qeveritare dhe baza ushtarake, duke provokuar ndërhyrje të ashpra nga autoritetet. Të paktën 10 persona humbën jetën, ndërsa mijëra u arrestuan në ditët pas arrestimit të Khan më 9 maj.

Vendimet e fundit përfshijnë gjithashtu heqjen e mandatit për gjashtë deputetë të kësaj force politike. Partia e ka denoncuar vendimin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar. “Për herë të parë në historinë gjyqësore të Pakistanit, ndodhi një incident kaq i turpshëm, ku liderët e opozitës u dënuan vetëm sepse mbështetën narrativën e Imran Khan dhe luftën përkushtuar për përfaqësim dhe kushtetutë”, shkroi PTI në platformën X.

Këshilltari mediatik i Khan, Zulfi Bukhari, deklaroi për AFP se vendimet përbëjnë një “ditë të zezë për demokracinë” në Pakistan. “Dënimi i njëpasnjëshëm i liderëve të opozitës nuk është një shenjë e mirë për një sistem demokratik dhe do të dëmtojë rëndë demokracinë tonë tashmë të brishtë,” u shpreh ai.

Imran Khan, ndodhet në burg që nga gushti 2023 dhe përballet me më shumë se 150 akuza, përfshirë terrorizëm dhe publikim të sekreteve shtetërore – akuza që ai dhe mbështetësit i konsiderojnë si hakmarrje politike.

Edhe pse u ndalua nga garimi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, kandidatët e PTI-së që garuan si të pavarur fituan numrin më të madh të vendeve në Kuvendin Kombëtar  por u penguan të formojnë qeverinë.