DOKUMENTI/ Gjykata e Drejtësisë Europiane rrëzon planin e qeverisë italiane për qendrat e emigrantëve në Shqipëri
Në vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GjED) mbi Protokollin Itali-Shqipëri dhe mbi përkufizimin e një “vendi të sigurt origjine”, gjyqtarët theksuan se një shtet anëtar nuk mund të përfshijë në listën e vendeve të sigurta të origjinës një shtet që “nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e tij”.
Gjykata sqaroi më tej se ky kriter mbetet në fuqi deri në hyrjen në fuqi të rregullores së re të BE-së, “e cila lejon përjashtime për disa kategori personash të identifikueshëm qartë”, me afat të parashikuar më 12 qershor 2026. Megjithatë, “legjislatori evropian mund ta përshpejtojë këtë datë”.
Për rrjedhojë, GjED e konsideron problematike marrëveshjen dypalëshe mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e kampit të pritjes së migrantëve në Lezhë. Edhe pse kjo marrëveshje është firmosur mes dy shteteve fqinje, ajo nuk mund të kufizojë kompetencat e gjykatave italiane për të vendosur në mënyrë përfundimtare në çdo rast individual.
Italia, megjithëse ka të drejtën të përcaktojë një vend si “të sigurt origjine” përmes një akti legjislativ – siç ka bërë në rastin e Shqipërisë – është e detyruar që ky përcaktim t’i nënshtrohet një shqyrtimi gjyqësor të plotë dhe efektiv.
Në një tjetër pjesë të vendimit, GjED godet në mënyrë të tërthortë Shqipërinë, duke ngritur dyshime serioze mbi situatën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vend.
Në dokumentin që Syri.net siguron ekskluzivisht Gjykata shprehet qartësisht: “Një shtet anëtar nuk mund të përfshijë në listën e vendeve të sigurta të origjinës një vend që nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e tij”
Në këtë mënyrë, duke shqyrtuar ligjshmërinë e kampit të ngritur në territorin shqiptar, GjED lë të kuptohet se Shqipëria nuk përmbush kriteret për të qenë një vend i sigurt për pritjen e migrantëve të huaj, aq më tepër kur vetë qytetarët e saj përballen me sfida serioze në ushtrimin e të drejtave të tyre themelore./Syri.net

