Hamasi e lidh kthimin në bisedimet e armëpushimit me përmirësimin e kushteve në zonë

Grupi militant palestinez Hamas ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të rifilluar bisedimet e ngecura të armëpushimit në Rripin e Gazës, por vetëm nëse situata humanitare në terren përmirësohet më parë.

Në një deklaratë të lëshuar mbrëmë vonë, Hamasi i quajti bisedimet e vazhdueshme në kushtet aktuale “të pakuptimta dhe joefektive”.

Negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, të mbajtura në Doha dhe të ndërmjetësuara nga SHBA-të,  Egjipti dhe Katari, u ndërprenë së fundmi.

Sipas zyrtarëve izraelitë dhe amerikanë, Hamasi i prishi bisedimet duke bërë kërkesa të tepërta.

Pas ndërprerjes, delegacionet amerikane dhe izraelite u kthyen në kryeqytetet e tyre për konsultime.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për mungesën e përparimit, megjithëse asnjëra nuk i ka deklaruar zyrtarisht negociatat të përfunduara.

Hamasi akuzon Izraelin për një tërheqje të pajustifikuar, ndërsa Izraeli akuzon Hamasin për vonesë të qëllimshme të procesit.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar tha në një deklaratë të enjten se Hamasi nuk është i interesuar të arrijë një marrëveshje.

Ministri shtoi se grupi ndihet i inkurajuar nga kritikat ndërkombëtare në rritje ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza.