Zjarret shkrumbojnë Gadishullin Iberik

Qindra zjarrfikës dhe njësi të Emergjencave e Ushtrisë po luftojnë me flakët që kanë përfshirë Spanjën qendrore, në atë që konsiderohet si vala më e madhe e zjarreve në Gadishullin Iberik këtë vit.

Në provincën perëndimore të Caceres, janë shkrumbuar të paktën 2,500 hektarë, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët në disa zona të rrezikuara.

Në qendër të Spanjës, erërat e forta kanë përkeqësuar situatën, pasi po pengojnë përpjekjet e zjarrfikësve për të ndaluar përhapjen e flakëve.

Banorëve të El Arenal, rreth 100 kilometra nga Madridi, iu kërkua të qëndronin në shtëpi për shkak të tymit të dendur që rrezikon shëndetin e tyre.

“Të gjitha provat tregojnë për zjarrvënie të qëllimshme. Është shumë shqetësuese, pasi vetëm këtë vit kemi regjistruar mbi 19 raste të zjarreve të qëllimshme në provincën e Avilës,” tha José Ángel Arranz, drejtor i Trashëgimisë Natyrore.

Një nga më të prekurit është Blas Rodriguez, një fermer vendas, ullishtja e të cilit është shkatërruar nga zjarri.

Kjo tokë ishte e babait tim. U dogj para 16 vitesh, por atëherë mundëm të shpëtonim ullinjtë. Kësaj here, gjithçka është djegur. Nuk kam fjalë,” tha Blas Rodriguez, fermer.

Mbi 500 zjarrfikës dhe 24 avionë janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët.
Qershori i këtij viti ka qenë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë si në Spanjë, ashtu edhe në Portugali.