Kanadaja ndjek Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar me planin për të njohur shtetin palestinez! Reagon Izraeli: Shpërblim për Hamasin
Kryeministri Mark Carney ka thënë se Kanadaja planifikon të njohë shtetin palestinez në shtator, duke u bërë vendi i tretë i G7 që bën një njoftim të tillë ditët e fundit. Carney tha se ky veprim varet nga reformat demokratike, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve nga Autoriteti Palestinez vitin e ardhshëm pa Hamasin. Komentet e tij vijnë një ditë pasi Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do të njihte një shtet palestinez në shtator nëse Izraeli nuk pranonte një armëpushim dhe kushte të tjera dhe një javë pasi Franca zbuloi një plan të ngjashëm.
Ministria e Jashtme e Izraelit e hodhi poshtë njoftimin e Kanadasë, duke e quajtur atë "një shpërblim për Hamasin". Shumica e vendeve - 147 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së - e njohin zyrtarisht shtetin palestinez. Carney tha se Kanadaja do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet së shpejti. Ai përmendi zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza dhe sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi si arsye për ndryshimin dramatik të politikës së jashtme të Kanadasë.
"Niveli i vuajtjeve njerëzore në Gaza është i patolerueshëm dhe po përkeqësohet me shpejtësi", u tha Carney gazetarëve të mërkurën. Ai tha se njohja e shtetësisë palestineze do të varet nga angazhimet e Autoritetit Palestinez për të reformuar rrënjësisht qeverisjen e tij dhe për të demilitarizuar territorin.
Kanadaja ka qenë prej kohësh e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete si pjesë e një procesi të negociuar paqeje, tha Carney, por shtoi se kjo qasje nuk është më e qëndrueshme.
"Perspektiva e një shteti palestinez po gërryhet para syve tanë", tha ai.
Carney tha në konferencën për shtyp se kishte folur me Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas më herët të mërkurën në lidhje me njoftimin. Autoriteti Palestinez kontrollon pjesë të Bregut Perëndimor përmes partisë Fatah, të udhëhequr nga Abbas, ndërsa Hamasi qeveris Gazën. Asnjëri territor nuk ka mbajtur zgjedhje që nga viti 2006.
Njoftimi i Carney-t u kritikua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit. Në një postim në X, thuhet se plani i Kanadasë “dëmton përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza dhe një kuadër për lirimin e pengjeve”. Konservatorët e Kanadasë gjithashtu e kundërshtuan njoftimin e Carney-t.
"Njohja e një shteti palestinez pas mizorive terroriste të 7 tetorit i dërgon botës mesazhin e gabuar", tha partia opozitare në një deklaratë.
Kryeministri ka qenë nën presion për të adresuar çështjen e shtetësisë palestineze që kur Mbretëria e Bashkuar dhe Franca - aleatë të ngushtë të Kanadasë - dolën me deklaratat e tyre mbi këtë çështje ditët e fundit. Gati 200 ish-ambasadorë dhe diplomatë kanadezë nënshkruan një letër të martën duke i bërë thirrje Carney-t të njohë një shtet palestinez.
Parimet e Kanadasë, thuhej në letër, "po braktisen çdo ditë me zhvendosjen masive, bombardimet pa dallim dhe urinë e civilëve palestinezë në Gaza dhe sulmet e dhunshme nga kolonët ekstremistë në Bregun Perëndimor". ,I pyetur nëse ishte i ndikuar nga njoftimet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, apo nëse ishte konsultuar me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Carney u përgjigj se Kanadaja mori vendimet e veta për politikën e jashtme.
Nëse Franca dhe Mbretëria e Bashkuar e njohin zyrtarisht shtetësinë palestineze, SHBA-të - një aleate e fortë e Izraelit - do të jenë anëtari i vetëm i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nuk do ta bëjë këtë. Ushtria izraelite nisi një fushatë në Gaza në përgjigje të sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1,200 njerëz dhe 251 të tjerë u morën peng. Më shumë se 60,000 njerëz janë vrarë që atëherë në Gaza dhe 154 persona, përfshirë 89 fëmijë, kanë vdekur nga kequshqyerja, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi.
