Irani mohon akuzat për ndërhyrje në bisedimet Izrael-Hamas
Irani mohoi sot akuzat për ndërhyrje në negociatat mes Izraelit dhe Hamasit për një armëpushim në Rripin e Gazës.
Hamas është pjesë e të ashtuquajturit ‘bosht i rezistencës’ i udhëhequr nga Irani – një aleancë jozyrtare e grupeve të armatosura që kundërshtojnë Izraelin, ku përfshihen edhe Hezbollahu libanez dhe rebelët shiitë Houthi të Jemenit.
“Mendoj se iranianët u përfshinë në këto negociata duke dhënë urdhra dhe mesazhe për Hamasin, dhe kjo nuk është gjë e mirë,” komentoi Trump ditën e djeshme.
Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, i cilësoi akuzat e Trump si ‘krejtësisht të pabazuara’.
“Hamasi mbron interesat e popullit të shtypur të Gazës në mënyrën më të përshtatshme dhe nuk ka nevojë për ndërhyrjen e palëve të treta në këtë drejtim,” thuhet në deklaratën e Baghaeit.
Ai shtoi duke hedhur akuza ndaj SHBA-së, se furnizon me armë vdekjeprurëse ‘regjimin sionist’.
