Tushi: Bonuset për nënat janë një 'aspirinë sociale', të pamjaftueshme për të nxitur lindjet

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News”, sociologu Gëzim Tushi komentoi politikat sociale për nxitjen e lindshmërisë në Shqipëri, duke i konsideruar aktualet si të pamjaftueshme.

" Pa diskutim çdo lloj politike që është në favor të rritjes së natalitetit, rritjes të normës së lindshmërisë në shoqërinë tonë është pozitive dhe duhet përkrahur.

Politikat sociale në çdo vend janë politika të cilat kanë një synim të përqëndruar dhe në këtë rast është rritja e numrit të popullsisë, shmangia e plakjes së popullsisë në shoqërinë shqiptare, e cila është bërë një fenomen jo vetëm demografikisht i rëndë por gjithashtu është bërë me efekte komplekse të karakterit financiar, social dhe të fushave të tjera.

Zëvendësimi i një mase të tillë sikurse ishte ajo e pagesës së menjëhershme, me bonuse, 400 mijë, 800 mijë dhe 1 milion e 200 mijë lekë të reja, ishte një aspirinë sociale shumë e vogël, e pamjaftueshme për të nxitur lindshmërinë në shoqërinë shqiptare", u shpreh Tushi.