Mjekët dhe infermierët ushtarakë, në terren pranë qytetarëve të prekur nga zjarret
Situata me zjarret në vend ka angazhuar edhe punonjësit e mbështetjes të cilët po iu gjenden pranë qytetarëve që kanë nevojë.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se për shkak të zjarrit të rënë në zonën e Markatës, Konispol, ditën e djeshme, përveç ndërhyrjes për fikjen e flakëve, mjekët dhe infermierët ushtarakë të Batalionit të Mbështetjes ishin në terren për t’u gjendur pranë qytetarëve që kishin nevojë për ndihmë mjekësore.
“Përkushtimi i tyre është një shembull i mbështetjes gjithëpërfshirëse që Forcat e Armatosura ofrojnë në situata emergjente”, thuhet në njoftimin e MM që përcolli edhe momente nga puna e këtyre punonjësve në ndihmë të banorëve.
Një vatër e madhe zjarri u aktivizua gjatë ditës së djeshme në fshatin Markat, në Bashkinë Konispol, duke shkaktuar djegien e një banese dhe duke rrezikuar seriozisht të tjera objekte të banuara në zonë.
