I hiqen prangat, tensione në gjyq/ Goditja e rrjetit nga SPAK, GJKKO liron menjëherë njërin nga të arrestuarit: U kap gabimisht. Të tjerët në burg
Gjashtë të arrestuarit e akuzuar për rrjet ndërkombëtar të drogës që u godit nga SPAK kanë dalë sot para GJKKO për masat e sigurisë.
Ndërkaq GJKKO liroi menjëherë njërin prej të arrestuarve me argumentin se u ndalua gabimisht, pasi të dhënat operacionale përkonin me gjeneralitetet dhe vendbanimi.
Konkretisht, GJKKO-ja urdhëroi lirimin e menjëhershëm në sallën e gjyqit të shtetasit Ilir Lloshi.
Qytetari në gjykatë deklaroi se: "Nuk kam lidhje me këto punë, unë s'kam dalë asnjëherë jashtë shtetit".
Ballafaqimi për njohje në seancë me bashkëpunëtorin e drejtësisë Erion Alibej dhe fotot konfirmoi se nuk bëhej fjalë për të njëjtin person që dyshohet si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Ndërkohë GJKKO-ja konfirmoi masat e sigurisë "arrest me burg" për shtetasit e tjerë.
Vëllezërit Hoxhosmani mësohet të jenë shprehur në seancën me dyer të mbyllyra se nuk kanë qenë përdorues të "SKY ECC" duke mohuar akuzat, ashtu dhe nje tjeter, i cili kërkoi dhe masë më të butë sigurie deri në sqarimin e pozitës së tij për shkak se vuan nga një sëmundje e rëndë.
Plaurent Dervishaj mësohet të jetë larguar nga salla për të mos pritur vendimin, pasi u paralajmërua nga gjykata të mos fliste pa leje.
Grupi është zbuluar jo vetëm nga të dhënat e siguruara nga "Sky Ecc", por edhe nga deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë Erion Alibej.
HETIMET E SPAK
Një ditë më parë SPAK zbuloi detaje të operacionit nga i cili u sekuestrua drogë me vlerë 411 milionë euro.
Sipas detajeve të publikuara nga SPAK, ky grup i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Europian si dhe në Britaninë e Madhe.
Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të mëdha si Anvers (Belgjikë), Rotterdam (Holandë), apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit (Channel Tunnel) për në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.
Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.
Organizimi i grupit ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara. Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike.
Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi. Shumica e tyre jetonin midis vendeve të Bashkimit Europian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Poshtë tyre vepronin bashkëpunëtorë që siguronin logjistikën dhe transportin. Këta persona gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao.
Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte një tjetër hallkë e grupit – ajo e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Europën Perëndimore.
Në origjinën e ngarkesave, në vendet e Amerikës Latine, qëndronin persona të paidentifikuar që shërbenin si pika kontakti. Ata ishin përgjegjës për sigurimin, ambalazhimin dhe dërgimin e drogës drejt porteve evropiane.
Gjithçka mbahej në kontroll nëpërmjet një komunikimi të koduar, aplikacionit Sky/ECC. Përdoruesit mbuloheshin pas pseudonimesh dhe kodeve PIN, që garantonin anonimitetin dhe shmangien e përgjimeve.
Komunikimet përfshinin planet për dorëzime, paralajmërime për kontrolle doganore dhe udhëzime për mënyrën e reagimit në rast sekuestrimesh. Në raste dyshimi, telefonat fshiheshin, shkatërroheshin ose hidhnin për të mos lënë gjurmë.
Në aspektin e kryerjes së pagesave, grupi kishte zbatuar një metodë të sofistikuar për të shmangur sistemin bankar tradicional: sistemin informal të pagesës Hawala.
Ky mekanizëm mundësonte transferimin e shumave të mëdha parash midis vendeve të ndryshme pa kaluar përmes kanaleve financiare formale, duke shmangur kështu gjurmët zyrtare të transaksioneve.
Kjo formë pagesash përdorej për të fshehur origjinën dhe destinacionin e të ardhurave nga trafiku i drogës. Verifikimi i shumave bëhej përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike që funksiononin si “token” për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës në pikën përkatëse.
Ky grup kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të BE-se.
Nga komunikimet del qartë që sigurimi i bashkëpunimit me doganierë ose personel të porteve shihej nga drejtuesit e këtij grupi kriminal si faktor vendimtar për suksesin e kryerjes së trafikut të narkotikëve prej tyre.



