Maratona Enkelana 2025/ Pogradeci mikpret me entuziazëm mbi 600 atletë nga 40 vende
Qyteti i Pogradecit priti me entuziazëm edicionin e katërt të Maratonës Enkelana, një ngjarje sportive me karakter ndërkombëtar që këtë vit mblodhi mbi 600 vrapues nga rreth 40 vende të ndryshme. Me itinerare piktoreske përgjatë liqenit dhe natyrës së bukur të zonës, maratona shënoi një tjetër sukses në promovimin e Pogradecit si destinacion turistik sportiv.
Gara u zhvillua në dy distanca kryesore: 21 kilometra Lin–Pogradec dhe 11.5 kilometra Pogradec–Tushemisht.
Fitues të garës kryesore 21 km ishin atletët ukrainas Bogdan Semenovych dhe bashkëshortja e tij, Natalya. Ata e përshkruan garën si të vështirë për shkak të temperaturave të larta, por e vlerësuan shumë atmosferën miqësore dhe mikpritjen e qytetit.
"Nuk ishte e lehtë ishte një gare e vështirë, kjo edhe për shkak të temperaturave të larta. Unë isha i lodhur sepse dje kam bërë një garë, sot përsëri dhe nesër do të vrapoj. Është çështje pasioni "
"Është hera ime e parë në maratonën e Pogradecit, me pëlqeu atmosfera festive këtu, ishte më tepër se një garë. Me pëlqeu shume fakti që ju na trajtoni si miq sesa garues"
Në garën 11.5 km, triumfuan Kristina Pura për femra dhe Leo Fantini nga Franca për meshkuj.
Ky i fundit tha se kishte ardhur posaçërisht për maratonën, falë një miku shqiptar, dhe se i kishte lënë mbresa të veçanta mikpritja dhe natyra e zonës.
"Jemi nga franca, kemi ardhur posaçërisht për garën, e duam Shqipërinë. Kemi një mik në Shqipëri dhe na ftoi të vijmë për të marrë pjesë në garë, ndërkohë javën tjetër kemi garë në Francë. Gara ishte e vështirë, pasi ishte nxehtë."
Maratona u bë edhe më gjithëpërfshirëse këtë vit, me garat për grupmoshat 40, 50 dhe 60+, duke përcjellë mesazhin se sporti është për të gjithë, pavarësisht moshës.
Në këtë edicion morën pjesë edhe dhjetëra sportistë shqiptarë nga diaspora dhe atletë nga Kosova, që udhëtuan posaçërisht për të garuar.
Maratona Enkelana konfirmon edhe një herë rolin e saj si urë mes sportit, turizmit dhe jetës aktive në qytetin buzë liqenit.
