Zjarri në nënstacionin e Ibës, rikthehet energjia elektrike në disa zona

Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga një mot me temperatura të larta, duke arritur sot nivelin e 40 gradëve Celsius.

Për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe ngarkesës së rrjetit, është regjistruar një incident në nënstacionin Ibë, ku një zjarr përfshiu transformatorin e fuqisë 110/10 kV.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) bëri të ditur se zjarri është shkaktuar nga regjimi i sforcuar i funksionimit të pajisjeve, i ndikuar nga temperaturat e larta dhe rritja e konsumit. Reagimi i menjëhershëm i brigadave të zjarrfikëses dhe stafit teknik të OSSH bëri të mundur shuarjen e zjarrit pa pasoja për personelin, duke minimizuar dëmet materiale.

Për pasojë të stakimit të nënstacionit, u ndërpre përkohësisht furnizimi me energji elektrike në zonat: Bërzhitë, Mullet, Baldushk, Ibë dhe Krrabë. Falë lidhjeve në unazë me fidera të tjerë nga nënstacioni Farkë, energjia elektrike është rikthyer në një pjesë të zonave brenda një kohe të shkurtër.

OSSH njofton se ka shtuar grupet e punës në terren për të ndërhyrë me ritme të shpejta dhe thekson se puna do të vijojë pa ndërprerje deri në orët e para të mëngjesit, për të siguruar zgjidhjen e plotë të avarisë.

OSHEE Group kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për ndërprerjet e energjisë të shkaktuara nga faktorë natyrorë dhe thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e shpejtë të problematikave të krijuara në rrjetin e shpërndarjes.