Zjarret në Delvinë, 11 banesa të djegura e mbi 2 mijë të evakuuar, flakët drejt Borshit! Digjet edhe kisha 200-vjeçare
Vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri në zonën e Delvinës, të cilat kanë përfshirë fshatrat Kalasë, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçëz dhe Palavli, në njësinë administrative Vergo.
Zjarri është përhapur edhe në kodrën përballë fshatit Palavli dhe në zonën sipër baxhos në Kopaçez, prej nga dyshohet se ka avancuar në malin mbi Borsh.
Për shkak të situatës së rrezikshme, mbi 2 mijë banorë nga gjashtë fshatra janë evakuuar gjatë ditës së djeshme.
Bilanci paraprak flet për 11 banesa të djegura dhe dëme të mëdha në bujqësi, pemëtari, ullishte dhe blegtori.
Ndërsa flakët kanë përfshirë edhe Kishën 200-vjeçare të Shën Dhimitrit në Senicë, një monument i rëndësishëm historik dhe kulturor.
Ndërkohë, shefi i Komisariatit të Delvinës, Agim Troci, është djegur në trup dhe është shtruar në Spitalin e Sarandës. Shefi i krimeve, Joni Lame, është asfiksuar nga tymi dhe po trajtohet gjithashtu në spital.
Zjarret mbeten jashtë kontrollit në disa zona, ndërsa përmasat e dëmeve janë ende në vlerësim.

Njoftimi i ministrisë:
Ministria e Mbrojtjes, përmes strukturave të Mbrojtjes Civile, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, në Bashkinë Delvinë, për shkak të rrezikut nga zjarret.
U bëhet thirrje të gjithë banorëve të respektojnë udhëzimet e emergjencave civile dhe të bashkëpunojnë me forcat e Policisë dhe autoritetet vendore, të cilat janë angazhuar për mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre.
Aktualisht, në operacion janë përfshirë edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po veprojnë në zonën e Delvinës, ndërsa dy të tjerë janë angazhuar në operacionet ajrore në qarkun Berat-Dimal.


