Kontrabandoi naftë nga RMV, arrestohet 31-vjeçari, procedohet doganieri i Pikës Kufitare të Goricës
Një 31-vjeçar nga Korça është arrestuar në flagrancë nga Policia Kufitare në afërsi të pikës kufitare Goricë, pasi u kap duke transportuar kontrabandë një sasi nafte nga Maqedonia e Veriut, pa dokumentacion përkatës.
Gjatë kontrollit në automjetin e tij në aksin Pustec-Bigëll, u gjet një depozitë me naftë për të cilën mungonin faturat.
Lënda djegëse u sekuestrua, ndërsa ndaj të dyshuarit M.P. është ngritur akuza për “Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë”.
Një doganier 46-vjeçar në pikën kufitare Goricë është proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se nuk kreu kontrollin përkatës të automjetit.Materialet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
Njoftimi:
Kontrabandoi nga Maqedonia e Veriut, një sasi nafte, kapet në flagrancë gjatë transportimit të saj dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Procedohet penalisht një doganier, për shpërdorim detyre.
Sekuestrohet sasia e naftës.
Në vijim të punës së intensifikuar të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, gjatë sezonit veror, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, është goditur një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë.
Në aksin rrugor "Pustec-Bigëll", në afërsi të PKK Goricë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin M. P. Gjatë kontrollit në automjet u konstatua një depozitë rezervë me një sasi nafte, për të cilën shtetasi M. P. nuk kishte ndonjë dokument apo faturë.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 31 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", për shtetasin E. F., 46 vjeç, banues në Rogozhinë, doganier në PKK Goricë, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontroll në automjetin e shtetasit M. P.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
