UBT me programet e të Vjenës, rektori Sallaku: Kthesë për të ardhmen e brezit të ri

Nëntë programet që Universiteti Bujqësor i Tiranës ofron duke nisur nga ky vit janë sipas modelit BOKU.

Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku tha sot se institucioni arsimor që ai drejton nuk është më ai i katër viteve më parë, por është vendi ku të rinjtë mund të ndërtojmë një karrierë të vërtetë në fushat e së ardhmes.

Në aktivitetin me synimin që UBT2030 të bëhet antena rajonale e BOKU-t, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, rektori i UBT-së u shpreh se qëllimi nuk është prezantimi i disa programeve të reja të studimit, por për të shënuar një kthesë që prek të ardhmen e një universiteti, një brezi të ri dhe të Shqipërisë.

“Sepse ajo që po ndodh në UBT nuk është thjesht një përmirësim, është një rilindje.  Katër vite më parë, papritur marr një telefonatë nga zyra e Kryeministrit dhe më thonë që kemi planifikuar një vizitë në BOKU të Vjenës, për të filluar një bashkëpunim dhe për ta transformuar këtë universitet. Në fillim nuk e besonim, sepse nuk ishim mësuar që ide të tilla të nisnin nga lart, nuk kishim dëgjuar më parë që një projekt reformimi universitar të kishte nismën, interesin personal të Kryeministrit të vendit”, tha ai.

Sipas Sallakut, pikërisht ky bashkëpunim është dëshmia se kur ka partneritet dhe një vullnet ndërmjet akademikëve, edhe një universitet i njohur për bujqësinë mund të shndërrohet në një qendër evropiane të dijes dhe inovacionit të qëndrueshëm.

“Katër vite më parë, Kryeministri i Shqipërisë së bashku me një përfaqësi të UBT-së ndodhej në universitetin BOKU të Vjenës. Aty nisi gjithçka. Atë ditë u hodhën themelet e një partneriteti që po jep frytet e para, jo si marrëveshje letrash, por si një bashkëpunim i vërtetë me mendje të hapura dhe ambicie e përulësi. Sot, ne nuk jemi më në fazën e ideve, sot kemi produktin, kemi një ofertë të re akademie së bashku me një prej universiteteve më të mira të Evropës, si BOKU i Vjenës”, tha Sallaku.

Rektori i UBT-së, gjatë fjalës së tij u bëri thirrje maturantëve që të zgjedhin degët e studimit që ofron ky universitet, pasi janë investimi më i mirë për një të ardhme akademike dhe një karrierë të qëndrueshme.

“UBT nuk është si më parë, Shqipëria nuk është ajo që ishte. UBT është vendi ku mund të ndërtoni një karrierë të vërtetë në fushat e të ardhmes, UBT nuk ka degë, por misione. Shqipëria po përgatitet për një hap të madh, anëtarësimin në BE, por Evropa nuk është një destinacion politik, por një standard me nivel përgatitje. Dhe këtë e arrijmë me të rinj që besojnë dhe veprojnë. Ejani në UBT jo thjesht për të studiuar, por për të marrë pjesë në një ndryshim dhe për të qenë brezi që nuk pret, por ndryshon. Zgjidhni një drejtim, një kauzë”, përfundoi Sallaku.