Von der Leyen: Bashkëpunim me SHBA-në, edhe pse tregtia e saj shtrihet në të gjithë botën. BE-ja dhe Japonia do të bashkëpunojnë më ngushtë
Në frontin tregtar, ne po punojmë për të rivendosur partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara mbi një themel më të fortë, deklaroi sot presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.
”Ne gjithashtu e dimë se 87% e tregtisë globale bëhet me vende të tjera, shumë prej të cilave kërkojnë stabilitet dhe mundësi të reja”, shtoi ajo, ndërsa merrte një diplomë nderi nga Universiteti Keio në Tokio.
“Unë jam këtu në Japoni për të thelluar lidhjet tona. Vende nga e gjithë bota vijnë tek ne për të bërë biznes, nga India në Indonezi, nga Amerika e Jugut në Korenë e Jugut, nga Kanadaja në Zelandën e Re”, tha ajo.
”Ne të gjithë po përpiqemi të krijojmë forcën dhe pavarësinë tonë. Vetëm duke punuar së bashku mund ta bëjmë këtë”, theksoi Von der Leyen.

Bashkimi Evropian dhe Japonia do të bashkëpunojnë më ngushtë për të kundërshtuar shtrëngimin ekonomik dhe për të adresuar praktikat e padrejta tregtare, tha sot për gazetarët presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sipas Reuters.
Deklaratat e von der Leyen vijnë pas një samiti BE-Japoni me kryeministrin japonez Shigeru Ishiba, në një kohë kur BE-ja po has vështirësi në përfundimin e një marrëveshjeje tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetëm një ditë para takimeve të mundshme sfiduese me udhëheqësit kinezë.
Ndërkohë, Japonia arriti dje një marrëveshje tregtare me SHBA-në, e cila ul tarifat për importet e makinave në këmbim të investimeve dhe huave drejt SHBA-së.
Von der Leyen tha se BE-ja dhe Japonia do të synojnë forcimin e sigurisë ekonomike.
“Do të punojmë më ngushtë për të kundërshtuar shtrëngimin ekonomik dhe për të adresuar praktikat e padrejta tregtare”, tha ajo. “Ne besojmë në konkurrencën globale dhe ajo duhet të sjellë përfitime për të gjithë”, shtoi von de Leyen.
Nga ana e tij, Ishiba u tha gazetarëve se BE-ja dhe Japonia do të punojnë për të ruajtur dhe forcuar një rend ekonomik të lirë, të drejtë dhe të bazuar në rregulla.
Ai shtoi se BE-ja dhe Japonia kanë rënë dakord të punojnë për forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe të nisin bisedimet për një marrëveshje sigurie informacioni.
“Në fushën e sigurisë, ramë dakord të bashkëpunojmë për të nisur një dialog mbi industrinë e mbrojtjes me qëllim forcimin e bazës industriale të mbrojtjes, që është një përparësi për të dyja palët, dhe për të filluar negociatat zyrtare për një marrëveshje sigurie informacioni midis Japonisë dhe BE-së”, tha Ishiba.


