Hargreaves: Partitë politike në Kosovë ta vënë vendin mbi interesat e tyre

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves njoftoi për takimin që e ka zhvilluar të martën, më 22 korrik, me presidenten Vjosa Osmani.

“U pajtuam se pasojat e një bllokimi të vazhdueshëm politik do të jenë të rënda për Kosovën dhe popullin e saj”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Tutje, Hargreaves tha se e ka përgëzuar Osmanin për përpjekjet e saj për zgjidhjen e bllokimit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Theksova përgjegjësinë e të gjitha partive politike për ta vënë vendin mbi interesat partiake për të gjetur një zgjidhje”, tha Hargreaves.

Osmani të martën zhvilloi takim edhe me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës amerikane në Kosovë, Anu Prattipati me të cilën diskutoi për situatën rreth konstituimit të Kuvendit.

Të dy takimet u zhvilluan pak para se Osmani të dalë në konferencë për media për të njoftuar se e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar pasojat juridike nëse deputetët nuk konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik – afat i paraparë në aktgjykimin e 26 qershorit të Kushtetueses.

Ajo në konferencë për media të martën, tha se kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e paragjykon epilogun në vazhdimin e afatit të mbetur prej katër ditësh për konstituimin e Kuvendit. Osmani tha se nëse arrihet marrëveshja për konstituimin e Kuvendit, ajo do të tërheq kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet më 9 shkurt por ende nuk janë formuar institucionet e reja. Osmani kërkon nga Kushtetuesja masë të përkohshme për ndalimin e rrjedhjes së afatit për konstituimin e Kuvendit.