Kongresmeni amerikan propozon riemërimin e sallës së operës së Kennedy Center: Ta quajmë “Zonja e Parë Melania Trump”

Një komision i fuqishëm në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA, përgjegjës për çështjet buxhetore, miratoi të martën një amendament që synon të detyrojë Qendrën Kennedy, institucion prestigjioz kulturor në Uashington, të riemërtojë sallën e saj të operës në “Zonja e Parë Melania Trump”.

Amendamenti u përfshi në projektligjin për financimin e Departamentit të Brendshëm për vitin 2026, i cili mbulon edhe çështje kulturore. Sipas këtij propozimi, Qendra Kennedy do të humbasë fondet federale nëse nuk ndryshon emrin e asaj që aktualisht njihet si Opera House.

Deputeti republikan Mike Simpson, nismëtari i amendamentit, e mbrojti të martën idenë duke thënë se është një “mënyrë e jashtëzakonshme për të nderuar mbështetjen dhe përkushtimin e Zonjës së Parë ndaj promovimit të artit”.

Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, presidenti Donald Trump ka vendosur Qendrën Kennedy nën kontrollin e tij të drejtpërdrejtë. Në mes të shkurtit, ai ristrukturoi bordin drejtues të qendrës, duke larguar anëtarë historikë dhe emëruar veten në krye të këtij institucioni kyç kulturor në kryeqytet. Ky veprim është pjesë e një fushate më të gjerë të Trump për të zhdukur atë që ai e quan “kulturë woke” nga fusha e arteve.

Presidenti amerikan ka ndërmarrë gjithashtu masa për të marrë kontrollin personal mbi disa prej muzeumeve më të njohura në Uashington, si pjesë e një lëvizjeje që ai e sheh si luftë kundër “propagandës anti-amerikane” në art, histori dhe shkencë.

Amendamenti i Simpson për Qendrën Kennedy është vetëm shembulli më i fundit i përpjekjeve të ligjvënësve republikanë për të treguar mbështetje të fortë ndaj presidentit Trump, shpeshherë në mënyrë simbolike apo edhe polemike.

Në janar, një deputete nga Karolina e Veriut propozoi që aeroporti kryesor që shërben Uashingtonin të riemërtohet në “Aeroporti Ndërkombëtar Donald J. Trump”.

Një tjetër deputete nga Florida propozoi një projektligj që do ta detyronte Departamentin e Brendshëm të gdhendte fytyrën e presidentit Trump në monumentin ikonik Mount Rushmore, përkrah figurave si George Washington, Thomas Jefferson, Abraham Lincoln dhe Theodore Roosevelt.

Ndërkohë, një ligjvënës nga Teksasi ka propozuar që figura e Benjamin Franklin, një nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara, të zëvendësohet nga ajo e Trump në kartëmonedhën prej 100 dollarësh.