EMRI/ Britania vendos sanksione ndaj trafikantëve të emigrantëve, mes tyre edhe një shqiptar

Në Britaninë e Madhe ka filluar vala e parë e sanksioneve që godasin rrjetet e trafikimit të emigrantëve të paligjshëm.

25 individë dhe entitete, përfshirë një furnizues varkash të vogla në Azi dhe drejtues bandash në Ballkan dhe Afrikën e Veriut, janë goditur nga autoritetet britanike.

Në shënjestër janë vendosur edhe ndërmjetës që përdorin sistemin e transferimit të parave “Hawala” në Lindjen e Mesme, i cili është përdorur për pagesa të lidhura me kalimet ilegale përmes Kanalit të La Manshit.

Mes të sanksionuarve është edhe shqiptari Bledar Lala, i identifikuar si drejtues i operacioneve të një grupi të organizuar të trafikimit në Belgjikë, si dhe një kompani në Kinë që reklamonte varka të vogla për trafik emigrantësh në një platformë online.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, e cilësoi këtë si një “moment historik në përpjekjet e Qeverisë për të luftuar krimin e organizuar të emigracionit dhe për të ulur migrimin e parregullt drejt MB-së”.

“Qoftë në Europë apo në Azi, ne po e çojmë luftën te trafikantët që mundësojnë emigrimin e paligjshëm, duke i goditur kudo që ndodhen dhe duke i detyruar të përgjigjen për veprimet e tyre”, tha ai.

Masat synojnë të godasin rrjetet e krimit të organizuar kudo në botë dhe të ndërpresin rrjedhën e parave të tyre, përmes ngrirjes së llogarive bankare, pronave dhe aseteve të tjera, për të penguar aktivitetet e tyre.

Bizneseve dhe bankave britanike do t’u ndalohet ligjërisht të kenë marrëdhënie me individët apo entitetet e përfshira në listë.

Ky hap vjen pas miratimit të një ligji të ri në kuadër të Projektligjit për Sigurinë Kufitare, Azilin dhe Emigracionin, që forcon kompetencat e policisë dhe autoriteteve për hetimin dhe ndjekjen penale të trafikantëve të njerëzve.