Greqia paralajmëron burg dhe dëbim për ata që mbërrijnë nga Afrika e Veriut
Ministri i ri grek i Emigracionit, Thanos Plevris, ka paralajmëruar masa drastike ndaj emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Greqi nga Afrika e Veriut.
Në një intervistë për “Daily Mail”, Plevris ka dhënë sinjale për një kthesë të fortë në politikën migratore të Athinës, duke theksuar se vendi nuk do të tolerojë më kalimet ilegale të kufirit.
“Mos vini. Nëse hyni ilegalisht në Greqi, prisni pesë vite burg ose kthim të menjëhershëm në vendin tuaj,” – ka deklaruar ministri, duke e bërë të qartë se qasja e re nuk lë vend për tolerancë.
Sipas tij, shumica e emigrantëve që mbërrijnë me anije janë burra të rinj, të moshës 18–30 vjeç, nga vende si Egjipti, Pakistani dhe Bangladeshi shtete që konsiderohen të sigurta.
“Ka ardhur koha të bëhet dallimi mes atyre që largohen nga lufta dhe atyre që ndjekin një jetë më të mirë ekonomike,” – ka theksuar ai.
Ministri ka hedhur poshtë narrativën se pjesa më e madhe e emigrantëve janë gra dhe fëmijë. “Shumica janë burra të rinj që përdorin Greqinë si portë hyrëse për në Evropë. Ne nuk jemi më hotel,” – ka shtuar ai.
Plevris ka identifikuar Libinë si pikën kryesore të nisjes për emigrantët, duke theksuar se mbi tre milionë persona ndodhen aktualisht në territorin libian, në pritje për të kaluar detin. Sipas tij, autoritetet libiane po tolerojnë përdorimin e anijeve të mëdha që transportojnë deri në 300 persona drejt brigjeve greke.
Në përgjigje të kësaj situate, Parlamenti grek ka miratuar një ligj të ri që pezullon përkohësisht shqyrtimin e kërkesave për azil nga emigrantët që hyjnë ilegalisht nga Afrika e Veriut. Ky pezullim do të zgjasë për të paktën tre muaj dhe është cilësuar si një masë emergjente përballë një “krize të jashtëzakonshme migratore”.
Ligji ka marrë mbështetjen zyrtare të Bashkimit Evropian.
Në bazë të ligjit të ri, emigrantët që mbërrijnë ilegalisht do të përballen me dy opsione: pesë vjet burg ose dëbim të menjëhershëm, me shpenzimet e mbuluara nga shteti grek.
Autoritetet po përgatiten për rritje të ndalimeve, duke ngritur kampe të reja pritjeje në territorin grek, të cilat do të funksionojnë me standarde të ngjashme me ato të institucioneve ndëshkimore.
Në një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen e gjerë të mediave, Plevris ka theksuar:
“Ministria jonë e Emigracionit nuk është shërbim hotelerie. Ne jemi këtu për të mbrojtur Greqinë dhe kufijtë e Evropës.”
