ITALI – Salvini përballet sërish me gjyq për çështjen e emigrantëve

Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini do të dalë sërish në gjyq për çështjen e emigrantëve në 2019.

Një anije OJQ-je e quajtur “Open Arms” e cila mbante 147 emigrantë të kapur në brigjet libiane u pengua të ankorohej në ishullin italian, Lampedusa – me urdhër të Salvinit, i cili ishte ministër i Brendshëm në atë kohë.

Zyra e prokurorit publik tha sot se po apelonte kundër vendimit të mëparshëm të lirimit nga akuzat. Çështja tani do të shkojë direkt në Gjykatën Supreme të Italisë në Romë. Një datë për gjyqin e ri nuk është caktuar ende.

Si ministër i Transportit dhe zëvendëskryeministër – Salvini është një nga figurat qendrore në koalicionin tripartiak të krahut të djathtë në Romë.

Gjatë kohës kur shërbeu si ministër i Brendshëm në një kabinet të mëparshëm, ai bëri emër ndërkombëtarisht me qëndrimin e tij të ashpër ndaj emigrantëve, veçanërisht atyre që vinin me anije nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë “Liga” ishte në gjyq në Siçili deri në dhjetor të vitit të kaluar – i akuzuar shpërdorim detyre – pasi refuzoi të lejonte ankorimin e një varke shpëtimi emigrantësh në Itali në vitin 2019, kur ai ishte ministër i Brendshëm.

Gjykata në Palermo e liroi Salvinin nga akuzat për privim lirie dhe shpërdorim detyre.

Anija që i përkiste organizatës spanjolle “Open Arms” ishte pranë ishullit, Lampedusa me mbi 160 emigrantë, por nuk u lejua të hynte në port. Njerëzit u hodhën në ujë dhe u përpoqën të notonin deri në breg.

Ajo u lejua të ankorohej vetëm pas një urdhri të një prokurori publik – kundër dëshirës së ministrit. Italia është një nga vendet evropiane veçanërisht e prekur nga emigrimi përtej detit.

Salvini e ka përshkruar veten si viktimë të një gjyqësori të politizuar dhe e ka akuzuar atë për persekutim të tij për arsye politike.