Çekia barazon propagandën komuniste me atë naziste, miratohet ligj i ri penal
Presidenti i Republikës Çeke, Petr Pavel, ka nënshkruar një amendament të ri në Kodin Penal, i cili kriminalizon promovimin e propagandës komuniste, duke e vendosur atë në të njëjtin nivel ligjor me ideologjinë naziste.
Ky ndryshim i ndjeshëm ligjor vjen pas thirrjeve të përsëritura nga disa institucione, përfshirë Institutin për Studimin e Regjimeve Totalitare, të cilat kishin kërkuar korrigjimin e asaj që e cilësonin si “çekuilibër në sistemin ligjor”.
Ligji i rishikuar parashikon dënime deri në pesë vjet burg për këdo që “krijon, mbështet ose promovon lëvizje naziste, komuniste ose të tjera që synojnë në mënyrë të dukshme të shtypin të drejtat dhe liritë e njeriut ose të nxisin urrejtje racore, etnike, kombëtare, fetare apo të bazuar në klasë”.
Reagimet nuk kanë munguar. Partia Komuniste e Bohemisë dhe Moravisë (KSČM), e cila aktualisht nuk ka përfaqësim në parlament, e dënoi vendimin si një “masë të motivuar politikisht”.
“Ky është një tjetër përpjekje e dështuar për ta nxjerrë KSČM-në jashtë ligjit dhe për të frikësuar kritikët e regjimit aktual,” thuhet në një deklaratë të saj.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se si do të zbatohet ligji për parti të regjistruara si KSČM.
Sipas sondazheve të fundit, aleanca e KSČM-së “Stačilo” (Mjaft) qëndron në kufirin elektoral prej 5%, çka mund ta rikthejë atë në dhomën e ulët të parlamentit në zgjedhjet e tetorit.
Republika Çeke ka një histori të gjatë nën sundimin komunist, që daton nga periudha e pas Luftës së Dytë Botërore kur Çekosllovakia u vu nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik.
Partia Komuniste e Çekosllovakisë (KSČ) qeverisi vendin për 41 vite deri në Revolucionin e Kadifenjtë të vitit 1989, i cili shënoi fundin e sundimit njëpartiak dhe kalimin në demokraci parlamentare.
Për herë të parë që nga viti 1920, në zgjedhjet e vitit 2021, komunistët nuk arritën të sigurojnë përfaqësim në parlament.
