Brazil/ Miratohet projektligji i kontestuar për mjedisin, kritikët: Ligji më i keq ndonjëherë
Dhoma e ulët e Parlamentit të Brazilit miratoi të enjten një projektligj për rishikimin e rregulloreve mjedisore, duke nxitur një valë kritikash të ashpra nga ambientalistët dhe vetë Ministrja e Mjedisit, Marina Silva.
Projektligji, i miratuar më herët nga Senati në maj, i kalon tani për dekretim presidentit Luiz Inacio Lula da Silva, i cili ende nuk ka deklaruar publikisht nëse do ta nënshkruajë apo do të vendosë veto.
Legjislacioni synon të përshpejtojë proceset e licencimit për projektet që qeveria i konsideron prioritare, duke zvogëluar procedurat burokratike nga tre hapa në një dhe duke dobësuar kompetencat e agjencive federale në kontrollin mjedisor.
Një ndër dispozitat më të diskutueshme eliminon vlerësimet për zgjerimet e infrastrukturës ekzistuese, përfshirë ndërtimin e një autostrade 900 km të gjatë përmes Amazonës perëndimore – një projekt që ekspertët thonë se do të çojë në shkatërrimin masiv të pyjeve tropikale.
Ministrja Silva e quajti ligjin një goditje për legjislacionin mjedisor dhe paralajmëroi se qeveria do të shqyrtojë alternativa, përfshirë mundësinë e një vetoje presidenciale.
Ndërkohë, aktivistët flasin për një “regres mjedisor” që rrezikon ndotje të rritur, shpyllëzim, mungesë uji dhe dëmtim të zonave të mbrojtura.
Në zemër të kritikave është një propozim për vetëdeklarimin e licencave, i cili do t’i lejonte kompanive të pajisen me licencë përmes një formulari online, pa kontroll shtetëror paraprak.
“Do të shtypin një buton dhe licenca do të jepet,” tha Suely Araújo nga Observatori i Klimës, duke e cilësuar këtë si “pjesën më të keqe të legjislacionit të ndërmarrë ndonjëherë nga pikëpamja mjedisore”.
Projektligji, i cilësuar nga kritikët si “ligji i shkatërrimit”, u miratua me 267 vota pro dhe 116 kundër.
Më shumë se 300 organizata jofitimprurëse, përfshirë Greenpeace dhe WWF Brazil, kanë nënshkruar një peticion kundër, duke e quajtur një pengesë të madhe për zhvillimin institucional dhe përmbysje të arritjeve mjedisore në 40 vitet e fundit.
Lula, i cili këtë vit do të presë samitin e COP30 në Amazonë, pritet të përballet me një vendim kritik për të ardhmen e politikës mjedisore në Brazil.
