Rezervoheshin që bark dhe shiteshin për 500 paund, goditet rrjeti ndërkombëtar i trafikut të foshnjave në Indonezi

Një rrjet i trafikut ndërkombëtar të foshnjave është goditur nga policia indoneziane, me të paktën 25 foshnja të shitura në Singapor që nga viti 2023. Autoritetet arrestuan gjatë kësaj jave 13 persona në qytetet Pontianak dhe Tangerane, ndërsa arritën të shpëtojnë gjashtë foshnja që ishin në prag të trafikimit, të gjitha rreth një vjeç.

Zyrtarët sqarojnë se foshnjat fillimisht mbaheshin në qytetin Pontianak, ku u përgatiteshin dokumentet e imigracionit, përpara se të transportoheshin drejt Singaporit. “Foshnjat u strehuan fillimisht në Pontianak dhe më pas u pajisën me dokumente të rreme, për t’u dërguar në Singapor,” deklaroi drejtori për hetimet e krimeve të përgjithshme në policinë e Java-s Perëndimore.

Hetimet zbuluan se rrjeti përfshinte rekrutues që gjurmonin prindër ose nëna të reja që nuk donin të rrisnin fëmijët e tyre, shpesh duke i kontaktuar fillimisht përmes Facebook-ut përpara se të kalonin në platforma më private si WhatsApp. Pasi nënat binin dakord, rrjeti siguronte kujdestarë që i mbanin foshnjat për dy deri në tre muaj, përpara se të dërgoheshin në Jakarta e më pas në Pontianak, ku falsifikoheshin certifikatat e lindjes dhe pasaportat.

Sipas policisë, foshnjat shiteshin për një çmim që varionte nga 11 deri në 16 milionë rupiah indoneziane (rreth 673 dollarë ose 502 paund). Në total, grupi trafikoi të paktën 25 foshnja, 12 meshkuj dhe 13 femra, drejt brenda dhe jashtë vendit, kryesisht nga zona të ndryshme të krahinës së Java Perëndimore.

Surawan theksoi se përparësia tani është identifikimi i blerësve në Singapor. “Do të krahasojmë të dhënat me foshnjat që janë larguar për të ditur saktësisht kush ka udhëtuar, kur dhe kush i ka shoqëruar, si edhe kush janë adoptuesit në Singapor,” tha ai. Sipas tij, shumica e foshnjave kanë ndërruar nënshtetësinë dhe autoritetet ende po kërkojnë dokumentet përkatëse.

Policia indoneziane ka kërkuar ndihmën e Interpolit dhe të autoriteteve të Singaporit për të ndaluar anëtarët e rrjetit që ndodhen ende jashtë vendit, si edhe blerësit. “Do të shpallim fajtorët në kërkim dhe do të lëshojmë ‘red notice’ për arrestimin e tyre nga autoritetet e huaja,” deklaroi Surawan.

Në lidhje me përgjegjësinë penale, Surawan tha se nëse provohet se ka pasur marrëveshje mes prindërve dhe trafikantëve, edhe vetë prindërit mund të përballen me akuza për trafik të qenieve njerëzore dhe shkelje të ligjeve për mbrojtjen e fëmijëve. Disa prindër madje kanë raportuar fëmijët e tyre si të rrëmbyer, kur në fakt, sipas policisë, ankesa vjen vetëm sepse nuk janë paguar sipas marrëveshjes me trafikantët.

Komisionerja për Mbrojtjen e Fëmijëve në Indonezi, Ai Rahmayanti, tha për BBC-në se rrjete të tilla trafikimi zakonisht synojnë gra në gjendje të dëshpëruar, përfshirë ato që kanë mbetur shtatzënë nga përdhunime, janë braktisur nga partnerët, ose nuk duan të mbajnë fëmijë nga marrëdhënie të rastësishme. Për shkak se aborti në Indonezi është i paligjshëm, përveç rasteve të emergjencës mjekësore apo përdhunimit, shumë gra janë të ekspozuara ndaj manipulimit nga rrjete të maskuara si klinika lindjesh apo strehimore sociale.

Sipas saj, këto qendra përdorin gjuhë të butë dhe mirëkuptuese, si “mund të lindësh dhe të marrësh foshnjën në shtëpi”, por në realitet, u ofrojnë para grave dhe e marrin fëmijën në mënyrë të paligjshme. Ndërsa nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e foshnjave të trafikuara, të dhënat e KPAI (Komisioni për Mbrojtjen e Fëmijëve) tregojnë se rasti është në rritje. Në vitin 2020 u regjistruan 11 raste të trafikimit të fëmijëve nën maskën e birësimeve të paligjshme, ndërsa në vitin 2023, numri arriti në 59 raste.

Në një nga rastet më të fundit, në vitin 2024, KPAI zbuloi përpjekje për shitjen e foshnjave në vende si Depok (Java Perëndimore) dhe Bali. Çmimet variojnë sipas rajonit – nga 11 deri në 15 milionë rupiah në Java, ndërsa në Bali shifra shkon deri në 26 milionë. Një nga faktorët përcaktues për çmimin është pamja fizike e foshnjës, tha Rahmayanti. Autoritetet thonë se hetimet vijojnë dhe se rrjeti i zbuluar mund të jetë vetëm një pjesë e problemit më të madh të trafikimit të fëmijëve në rajon.