Prindërit iz*lojnë djalin 7-vjeçar në dollap dhe e lënë pa ushqim, peshonte vetëm 10 kg

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në shtetin e Arkansas në SHBA, ku një çift, Chris Freeman, 39 vjeç dhe Katelyn Freeman 27 vjeç, janë arrestuar pasi djali i tyre 7-vjeçar u gjet në gjendje kritike nga uria, duke peshuar vetëm 10.5 kilogramë.

Sipas policisë së Russellville, fëmija ishte i izoluar në një dollap të kthyer në dhomë improvizuar, ku qëndronte shpesh i lidhur me litar dhe i ekspozuar në kushte të rënda higjienike. Në dysheme u gjetën urina dhe jashtëqitje, ndërsa muret ishin të dëmtuara, sipas raportimeve të mediave lokale KARK dhe KATV, të cilat citojnë burime zyrtare.

Mjekët e spitalit ku u dërgua fëmija e përshkruan gjendjen e tij si “kritike, i dobët, i zbehtë dhe jashtëzakonisht i nënpeshë”, duke shtuar se pas vitesh kequshqyerjeje, “nuk kishte shumë shpresë për përmirësim”.

Kreu i policisë së Russellville, David Ewing, u shpreh:

“Ishte praktikisht thjesht një skelet me lëkurë. Një pamje që na ka tronditur të gjithëve.”

Hetuesit gjetën prova se fëmija ishte mbyllur vazhdimisht në atë hapësirë, pa trajtim mjekësor dhe pa kujdes të duhur. Fëmijë të tjerë në shtëpi deklaruan se litarët përdoreshin për ta mbajtur të lidhur ose si mjet ndëshkimi edhe për fëmijët e tjerë.

Çifti ka pranuar pjesërisht akuzat, duke pohuar se e mbyllnin fëmijën në dollap dhe nuk kërkuan ndihmë mjekësore nga frika e ndëshkimit. Policia thekson se në banesë kishte ushqim të bollshëm dhe të ardhura financiare, duke përjashtuar mundësinë që neglizhenca të ketë ardhur nga varfëria.

Ekspertë të shëndetit e cilësuan rastin si “torturë psikologjike dhe fizike”, ndërsa çifti akuzohet për dëmtim fizik të rëndë dhe rrezikim të mirëqenies së një të mituri.

Ata ndodhen në paraburgim, me një garanci prej 100,000 dollarësh secili.