SHBA NUK KOMENTOJNË MË ZGJEDHJET! Zbardhet udhëzim i Rubios drejtuar ambasadave: Do theksohen vetëm interesat e përbashkëta
SHBA nuk do të reagojë më mbi vlerësimin e një procesi zgjedhor në vende të botës. Në udhëzimin e ri ambasadave u kërkohet të urojnë shkurt fituesin dhe kur është e nevojshme të vlerësohen interesat e përbashkëta.
Departamenti i Shtetit të SHBA do të ndryshojë qëndrim sa i përket komenteve të zgjedhjeve në shtete aleate, veprim që deri më dje konsiderohej kyç në certifikimin ose jo të një procesi elektoral.
“Wall Street Journal” ka zbuluar një material ku ambasadat dhe konsullatat amerikane në botë orientohen që të mos komentojnë më mbi zgjedhjet në vende të tjera, përveç rasteve kur ka një interes të qartë dhe bindës të politikës së jashtme amerikane.
Në një udhëzim të ri të firmosur nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe shpërndarë të enjten në përfaqësitë diplomatike, theksohet se deklaratat publike duhet të shmangin çdo referencë ideologjike dhe të jenë të përputhshme me qëndrimin e Presidentit Donald Trump për respektimin e sovranitetit të vendeve të huaja.
Sipas dokumentit të cituar nga prestigjiozja amerikane, SHBA nuk do të komentojë më mbi ndershmërinë, integritetin apo vlerat demokratike të proceseve zgjedhore jashtë vendit, përveçse kur ka një nevojë të qartë strategjike.
“Mesazhet duhet të shmangin vlerësimet mbi ndershmërinë ose legjitimitetin e një procesi elektoral apo mbi vlerat demokratike të një vendi”, thuhet në shkrim.
Për dekada, SHBA ka kritikuar zgjedhje në vende autoritare në linjë me raportet e organizatave vëzhguese si OSBE, Carter Center apo NDI. Kjo praktikë tani ndalohet, përveç rasteve kur miratohet nga zyrtarë të lartë në Uashington.
“Kur është e përshtatshme të komentohet mbi një zgjedhje të huaj, mesazhi duhet të jetë i shkurtër dhe të fokusohet në urimin për kandidatin fitues dhe, kur është e nevojshme, të nënvizojë interesat e përbashkëta diplomatike.”, citohet më tej
Udhëzimi reflekton qartësisht doktrinën e re të politikës së jashtme të Trump, të përqendruar në prioritetet amerikane dhe jo në promovimin e vlerave demokratike ndërkombëtare.

