Fico: Sllovakia është e gatshme të miratojë sanksionet e reja të BE-së ndaj Rusisë!
Kryeministri sllovak, Robert Fico është shprehur së fundmi se Sllovakia është gati të miratojë paketën e 18-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë. Pak ditë më parë ratifikimi i masave u shty pasi Fico u shprej se nuk ishte i përgatitur t'i miratonte ato, duke përmendur shqetësimet e qeverisë së tij në lidhje me mjaftueshmërinë e gazit të Sllovakisë.
Propozimi i Komisionit Evropian për paketën e re të masave synon sektorët financiarë dhe të energjisë të Rusisë, në përgjigje të refuzimit të presidentit rus, Vladimir Putin për të negociuar për një armëpushim pa kushte në Ukrainë.
Sipas postimit në "Facebook", Fico ka udhëzuar delegacionin sllovak që të miratojë grupin e 18-të të sanksioneve. Sipas tij nëse ai do të vazhdonte të bllokonte paketën e re të sanksioneve, situata do të ndikonte në interesat e Sllovakisë si shtet anëtar i BE-së.
Përfaqësuesit e përhershëm të 27 vendeve në selinë e BE-së pritet të ratifikojnë paketën e 18-të, ndoshta që sot, 18 korrik 2025.
