Bosi rus i krimit që u ekstradua nga Shqipëria çështje në Gjykatën Kushtetuese. Ja kur do mbahet seanca për Igor Kokunov

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka caktuar datën 30 tetor 2025 për zhvillimin e një seance plenare publike në lidhje me ekstradimin e shtetasit rus Igor Kokunov.

Objekt i shqyrtimit do të jetë vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve gjyqësore dhe administrative që çuan në ekstradimin e tij drejt Federatës Ruse, pavarësisht një vendimi të mëparshëm të Kushtetueses për pezullimin e procesit.

Në këtë çështje janë thirrur si subjekte të interesuara Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Ankuesit kërkojnë shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i konsideruar ato në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokatët e Kokunov kanë pretenduar se klienti i tyre është ekstraduar në mënyrë të paligjshme në tetor të vitit 2024, në kundërshtim me urdhrin e pezullimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

Ata theksojnë se ekstradimi është bazuar në një kërkesë nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i Rusisë, i shpallur "non grata" nga organizata ndërkombëtare ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Kush është bosi i krimit "Igor Kokunov"?

Bosi rus i krimit që u ekstradua nga Shqipëria çështje

Igor Kokunov, i njohur me pseudonimin “Vasya Bandit”, ishte arrestuar në gusht 2023 në pikën kufitare të Muriqanit dhe akuzohet nga autoritetet ruse për “zënie të pozitës së lartë në hierarkinë kriminale”, vepër penale që parashikon deri në 15 vjet burg.

Prokuroria ruse thotë se 60-vjeçari ne ate kohe nga viti 1993- 2019 mori postin më të lartë në hierarkinë kriminale.

Statusi “hajdut me ligj” thotë zëvendës prokurori i Përgjithshëm rus, është statusi më i lartë i përjetshëm në hierarkinë kriminale dhe dëshmon përkatësinë e tij dhe autoritetin e padiskutueshëm në elitës kriminale.

Rusët thonë se Kokunov nga 2005- 2015 ofroi patronazh kriminal të veprimtarisë së kompanisë së  përbashkët aksionere “FIRST Moscow Watch Factory” me një tarifë për të marrë para në gati 1 milionë rubla.

Më pas zgjidhi konflikte me strukturat e tjera kriminale derisa zuri postin më të lartë me këta udhëheqës të botës kriminale, shkruhet më tej në dosjen që rusët kanë dërguar në Shqipëri.

Ndaj arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimin drejt Moskës.

Bosi i krimit Igor Kokunov, i njohur gjithashtu si "Vasya Bandit", u arratis më 22 shkurt të vitit 2022 nga arresti shtëpiak në pritje të gjykimit, njoftonin gazetat ruse.

Kokunov akuzohet për krime të tilla si rrëmbimi, zhvatja, grabitja, mashtrimi dhe organizimi i biznesit të paligjshëm.

Vasya Bandit u arrestua nga autoritetet ruse në qershor të vitit 2020, ai gjithashtu akuzohet për koordinimin e kriminelëve në rajonet Sergiev Posad, Chekhov dhe Podolsk të rajonit të Moskës prej 27 vitesh.