Përmbytje katastrofike në Pakistan: 178 të vde*ur në më pak se tre javë
Shirat e rrëmbyeshëm të musoneve kanë shkaktuar një valë përmbytjesh të menjëhershme dhe dëme të mëdha në Pakistan, ku numri i viktimave ka arritur në 178 që nga 26 qershori.
Sipas autoriteteve pakistaneze, vetëm në 24 orët e fundit kanë humbur jetën të paktën 54 persona, shumica prej tyre në provincën Punjab, e cila është përballur me 124% më shumë reshje sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Reshjet e dendura kanë përfshirë rajonet Punjab, Khyber Pakhtunkhwa, Sindh dhe Balochistan, duke bllokuar rrugë, përmbytur fshatra dhe shkatërruar infrastrukturën në disa zona urbane si Rawalpindi dhe Lahore.
Në distriktin Jhelum, autoritetet janë detyruar të përdorin varka për evakuimin e banorëve, ndërsa në periferi të Rawalpindit, një helikopter ushtarak shpëtoi tre persona të bllokuar mbi çatinë e shtëpisë së tyre.
Departamenti Meteorologjik i Pakistanit raportoi se vendi ka marrë 82% më shumë reshje këtë muaj krahasuar me korrikun 2024, dhe paralajmëroi për më shumë reshje në ditët në vijim në Islamabad, Kashmir dhe rajone të tjera.
Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive ka shpallur gjendje alarmi dhe u ka kërkuar zyrtarëve lokalë të jenë në gatishmëri të lartë.
Turistëve u është rekomanduar të shmangin udhëtimet në zonat e prekura, për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të dheut dhe bllokimit të rrugëve.
Autoritetet paralajmërojnë se nuk mund të përjashtohet një përsëritje e përmbytjeve shkatërrimtare të vitit 2022, kur një e treta e territorit të vendit u përmbyt dhe mbi 1,700 persona humbën jetën.
