BE godet me taksa të reja industrinë e duhanit: Rritje çmimesh dhe burime të reja për buxhetin
Komisioni Evropian ka ndërmarrë një nismë të dyfishtë për të reduktuar përdorimin e duhanit dhe për të siguruar të ardhura të reja për buxhetin e BE-së, përmes propozimeve të reja për taksim më të lartë të produkteve të duhanit. Në dy njoftime të veçanta të mërkurën, u prezantuan rishikimi i Direktivës për Tatimin e Duhanit dhe një masë e re financiare, Burimi i Vetë i Akcizës së Duhanit (TEDOR).
Sipas Komisionit, rishikimi i direktivës synon rritjen e normave minimale të akcizës dhe zgjerimin e fushës së zbatimit për të përfshirë edhe produkte të reja si lëngjet e cigareve elektronike, qeset e nikotinës dhe duhanin e papërpunuar. Ndërkohë, TEDOR propozon një normë të përbashkët prej 15% mbi produktet e duhanit të futura në konsum, duke krijuar një rrjedhë të re të ardhurash për BE-në, që mund të kapin vlerën e 11.2 miliardë eurove në vit.
Megjithatë, përdorimi i këtyre të ardhurave mbetet i paqartë. Një zyrtar i BE-së theksoi se burimet vetanake nuk janë të dedikuara për qëllime specifike dhe hyjnë në buxhetin vjetor të Unionit. Ai shtoi gjithashtu se dy propozimet janë “plotësuese, por të pavarura” nga njëra-tjetra.
Ky është ndër legjislacionet më të rëndësishme të BE-së mbi taksimin e duhanit që prej më shumë se një dekade. Drejtuesit e Komisionit kanë theksuar se nisma është në përputhje me “Planin e Evropës për Mundjen e Kancerit”, i cili nënvizon rëndësinë e tatimeve si mjet për të ulur konsumin, sidomos mes të rinjve. Por vonesat e mëparshme në reformën e plotë të politikave të duhanit kanë nxitur spekulime mbi ndikimin e industrisë së duhanit në vendimmarrje.
Me rregullat e reja, Komisioni synon të vendosë një kufi të ri për taksimin e cigareve, me normën e akcizës që duhet të jetë jo më pak se 7.5% dhe jo më shumë se 76.5% e barrës tatimore. Po ashtu, do të forcohet mbikëqyrja ndaj duhanit të papërpunuar dhe do të përmirësohet gjurmimi i blerjeve ndërkufitare për të parandaluar evazionin fiskal.
Pavarësisht qëllimeve ambicioze, rruga për miratimin e këtyre masave do të jetë e vështirë. Taksimi në BE kërkon miratim unanim nga Këshilli i BE-së, dhe disa vende si Italia dhe Greqia kanë kundërshtuar tashmë rritjen e taksave mbi produktet e duhanit. Gjithashtu, Parlamenti Evropian mund të konsultohet, por nuk ka të drejtë vetoje.
Presioni për veprim sa vjen e rritet. Në mars të këtij viti, ministrat e shëndetësisë të 12 shteteve anëtare i dërguan një letër Komisionerit për Shëndetësi të BE-së, duke kërkuar një qasje më agresive ndaj produkteve të duhanit dhe nikotinës. Megjithatë, arritja e një marrëveshjeje unanime për nismën TEDOR mbetet një sfidë e rëndësishme, veçanërisht për shkak të ndikimit të saj në sistemet fiskale kombëtare dhe procedurat kushtetuese.
