Përforcim me peshë në mbrojtje, Teuta zyrtarizon marrëveshjen me ish-talentin e Tiranës

Teuta e Durrësit vijon të jetë aktive në merkaton e verës, duke shtuar kualitet dhe përvojë në repartin difensiv.

Klubi ka arritur marrëveshjen me Albi Dokën, një emër i njohur i futbollit shqiptar, i cili sezonin e fundit ishte pjesë e Skënderbeut.

Mbrojtësi 28-vjeçar, që më parë ka fituar titullin kampion me Tiranën, ka zgjedhur të vazhdojë karrierën e tij me durrsakët në Kategorinë Superiore.

Teuta zyrtarizoi afrimin e Dokës përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku u shpreh entuziazmi për këtë përforcim të rëndësishëm në prapavijë.

Deklarata zyrtare e klubit Teuta:

“Mirësevjen Albi Doka! KF Teuta ka kënaqësinë të njoftojë afrimin e lojtarit Albi Doka, i cili do të jetë pjesë e skuadrës sonë për sezonin e ardhshëm.

Klubi ka firmosur sot marrëveshjen me lojtarin, i cili do të forcojë repartin e mbrojtjes dhe do të jetë një element i rëndësishëm në objektivat tona për sezonin e ri.

Doka i bashkohet ‘bluve’ me përvojën dhe kualitetin e tij, dhe jemi të bindur se do të japë një kontribut të çmuar në fushën e lojës. I urojmë mirëseardhjen në Durrës dhe shumë suksese me fanellën e Teutës!”