E vr*në dhe e hodhën në liqen! Dalin detaje të reja: Rrëmbimi i Renis Dobrës ishte i planifikuar 5 ditë para ngjarjes
Rrëmbimi, vrasja dhe më pas hedhja e trupit të 23-vjeçarit Renis Dobra, me makinën në liqenin e Ulzës për të zhdukur çdo gjurmë ishte planifikuar me kujdes dhe në detaje nga autorët e krimit.
Burimet nga grupi hetimor, bëjnë me dije se, krimi makabër ishte planifikuar 5 ditë më parë, dhe hetuesit kanë identifikuar lëvizjet e dyshuarve si dhe tentativën e tyre për të hequr GPS nga makinat e marra me qira dhe me të cilat do të kryeninin krimin.
Më datën 5 korrik, nga aeroporti i Rinasit, është marrë një makinë me qira nga i kërkuari Aleksandër Bushgjoka. Makina është kthyer më datën 7 korrik nga Fatjon Bushgjoka, vëllai i Aleksandrit, dhe jo nga i pari. Fatjoni, po të njëjtën ditë, ka marrë me qira një tjetër makinë, këtë herë tip Range Rover, e cila është përdorur në krim. Po ashtu, Petrit Çakri ka marrë një makinë tjetër me qira, një Hyundai, që u përdor gjithashtu në lëvizjet e dyshuara.
Fatjoni ka kthyer makinën më 10 korrik, dy ditë pasi dyshohet se ka kryer rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Renis Dobrës. Pas kthimit të makinës, ka pasur një debat mes tij dhe pronarit të makinave me qira në Rinas, pasi makinës i ishte tentuar të hiqej GPS.
Gjithashtu, hetuesit kanë deklaruar se dy dëshmitarë kanë treguar se autorët janë parë tre orë para ngjarjes në një kafene, ku dyshohet se kanë vëzhguar viktimën Renis Dobrën.
Dëshmia e Fatjon Bushgjokës ka ngjallur dyshime të mëdha: "E njoh të riun, por nuk kam lidhje me vrasjen e tij. E kam njohur në Gjermani, kemi shitur drogë. Kemi bërë punë të pista."
Dëshmia e Petrit Çakrrit: "Po, kam qenë në Burrel me vëllezërit Bushgjoka, por nuk dija asgjë. Ata më thanë që do gjenim drogë në Madhesh të Burrelit. Kam bërë burg me Kristi Bushgjokën. Unë isha në makinën tjetër dhe nuk më treguan, nuk di asgjë për çfarë ndodhi. E pashë në lajme që ishte vrarë. Ata më thanë të ikja."
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbuluar më shumë detaje lidhur me ngjarjen, ndërkohë që dyshimet se vrasja mund të ketë lidhje me trafikimin e drogës janë përforcuar pas dëshmive të dyshuarve./Syri Tv

