FOTO/ Zaptimi i lagjeve, Rama urdhëron heqjen e legalizimeve dhe paralajmëron punonjësit e Aluiznit dhe Kadastrës më pas
Kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se qeveria do të miratojë një reformë të re për kontrollin e territorit, duke marrë shkas nga zaptimi i hapësirave publike nga ndërtimet pa leje.
Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook rastin e një shtese lokali që është legalizuar në hapësirë publike.
Sipas Ramës biznesi në fjalë, si dhe të tjera kanë zënë hapësirën publike në mënyrë abuzive duke penguar qytetarët.
Lidhur me këtë rast Kryeministri shprehet gjithashtu se do të anulohet ligjërish legalizimi i lejeve të tilla dhe do të miratohet së shpejti.
Postimi i Ramës:
Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anulluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona.
