50 ditë kohë për marrëveshje/ Bytyçi: Afat i tejzgjatur, strategji pa bazë teknike

Pas të gjitha afateve të humbura, presidenti i SHBA Donald Trump i dha sot Vladimir Putin një tjetër afat që duhet ta përmbushë: një marrëveshje brenda 50 ditësh, ose tarifa dytësore 100% do t’u vendosen partnerëve tregtarë të Rusisë.

I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Seb Bytyçi tha se afati 50-ditor i vendosur nga presidenti Trump është i gjatë dhe potencialisht i rrezikshëm.

"Është një periudhë mjaft e gjatë dhe shumë gjëra mund të ndodhin gjatë asaj periudhe 50 ditore. Si duket është e qëllimshme në funksion të ruajtjes së asaj marrëdhënies personale me zotin Putin dhe Trump.

Kjo si duket është arsyeja kryesore e kësaj kohëzgjatjeje mjaft të gjatë, varësisht sesi ndodhin gjërat në terren kjo mund të dëshmohet se është një taktik e gabuar, një afat kaq i largët sepse gjatë kësaj periudhe, dihet që jemi në sezonin veror dhe dihet që Rusia, forcat ruse në Ukrainë janë duke bërë presion në anë të ndryshme dhe mund të përfitojnë territorialisht mjaft shumë por gjithashtu mund të ketë një numër shumë të madh të viktimave civile sepse ka bombardime të vazhdueshme të qyteteve ukrainase dhe mund të dëshmohet që është vendim i gabuar.

Një afat më i afërt do ishte më i llogjikshëm", u shpreh ndër të tjera Bytyçi.